Deklarata e Dua Lipës për protestat kundër projektit turistik që parashikohet të ndërtohet në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit ka tërhequr vëmendjen edhe të medias prestigjioze britanike The Guardian.

Në një artikull të publikuar së fundmi, gazeta britanike ndalet te qëndrimi i artistes me origjinë shqiptare, e cila gjatë një bisede me akademiken dhe shkrimtaren Lea Ypi në podcastin Service95 Book Club e cilësoi lëvizjen qytetare kundër projektit si "frymëzuese".

Dua Lipa vlerësoi angazhimin e qytetarëve në mbrojtje të mjedisit, duke shprehur shqetësimin për ndryshimet ligjore që, sipas saj, mundësuan zhvillimin e ndërtimeve në zona të ndjeshme natyrore pa një konsultim të gjerë publik.

Këngëtarja theksoi se transparenca dhe mbrojtja e mjedisit janë çështje që meritojnë vëmendje të veçantë dhe debat publik.

Artikulli i The Guardian rikujton se projekti, me një vlerë të raportuar prej rreth 1.6 miliardë eurosh, parashikon ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit dhe mijëra vilave në zonën e Zvërnecit. Investimi mbështetet nga një grup investitorësh të udhëhequr nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump.

Media britanike thekson se zonat ku pritet të zhvillohet projekti konsiderohen me rëndësi të veçantë për biodiversitetin dhe ekosistemet natyrore, ndërsa protestat në Shqipëri kanë hyrë tashmë në javën e gjashtë.

Sipas artikullit, reagimi i Dua Lipës është mirëpritur nga organizatat mjedisore dhe aktivistët, të cilët e kanë cilësuar mbështetjen e saj si të rëndësishme, veçanërisht për ndikimin që artistja ka te të rinjtë.

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare e ka mbrojtur projektin duke e konsideruar atë një investim strategjik me potencial për të nxitur zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e turizmit. Edhe investitorët kanë deklaruar se synojnë një zhvillim të përgjegjshëm dhe me përfitime afatgjata për komunitetet lokale.