Selena Gomez donte të sigurohej se lidhja me të ishte vërtet gjëja e duhur për Benny Blanco.

Tre vjet pasi këngëtarja e hitit “Good for You” dhe producenti muzikor nisën të dilnin së bashku, ai ka treguar detaje nga një bisedë që zhvilluan pak përpara se Selena ta konfirmonte publikisht lidhjen e tyre, në dhjetor të vitit 2023.

“E mbajtëm lidhjen tonë private për një kohë të gjatë, rreth tetë ose nëntë muaj”, tregoi Blanco në një intervistë për gazetën spanjolle El País, të publikuar më 13 korrik.

“Më pas ajo më pyeti: ‘A je i sigurt se dëshiron ta bëjmë këtë? Do ta kuptoja edhe nëse do të preferoje të mbeteshim thjesht miq’.”

Por Blanco, emri i vërtetë i të cilit është Benjamin Levin, ishte gati që e gjithë bota ta mësonte se ishte i dashuruar me Selena Gomez.

“Unë i thashë: ‘E di çfarë? Në djall të shkojë gjithçka’”, kujtoi 38-vjeçari.

“Jemi me fat, sepse të dy kemi miq dhe familjarë që i njohim që përpara se të ndodhte e gjithë kjo. Jemi të rrethuar nga një grup i mirë njerëzish që i duam.”

Edhe pse është i martuar me një nga gratë më të famshme në botë, Blanco ka mësuar të ruajë një ekuilibër delikat mes jetës private dhe asaj që vendos të ndajë me publikun.

“Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time”, shpjegoi ai.

“Njerëzit e famshëm janë vazhdimisht nën vëzhgim. Nëse thua një gjë, është gabim; nëse thua diçka tjetër, përsëri është gabim. Do të doja të kisha më shumë privatësi.”

Ai shtoi se mund të publikojë herë pas here ndonjë fotografi të bashkëshortes ose të një pjate të shijshme që ka provuar, por pjesa më e madhe e përmbajtjes së tij në Instagram lidhet me punën.

“Ndoshta ndonjëherë do të publikoj një fotografi të gruas sime ose të ndonjë ushqimi të shijshëm që kam provuar, por në Instagramin tim thuajse nuk postoj kurrë diçka që nuk ka lidhje me punën.”

Megjithatë, Blanco siguron se vendosja e kufijve për atë që mund të ndahet publikisht është bërë më e natyrshme që kur është në një lidhje me Selenën.

“Ajo është përballur me këtë gjatë gjithë jetës së saj”, tha ai për ish-yllin e Disney-t.

“Prandaj është diçka me të cilën duhet të përballemi së bashku.”

Nga ana tjetër, Gomez, e cila në të kaluarën ka pasur lidhje me The Weeknd dhe Justin Bieber, ka theksuar se ajo që ka gjetur me Blanco është diçka shumë e rrallë.

“Është vërtet bukur të mund të mbështetesh te dikush që e kupton botën ku jetoj”, tregoi 33-vjeçarja gjatë një interviste të vitit 2024 me Zane Lowe për Apple Music.

“Do të thosha se, në përgjithësi, është marrëdhënia në të cilën jam ndier më e sigurt. Ka qenë shumë e bukur dhe unë vetëm jam rritur përmes saj, kështu që është diçka e mrekullueshme.”