Sunny Hill Festival rikthehet edhe këtë vit me një program të pasur muzikor, ku krahas emrave më të mëdhenj të skenës ndërkombëtare, një vend të rëndësishëm zënë edhe artistët shqiptarë. Edicioni i vitit 2026 premton një kombinim të emrave të konsoliduar dhe talenteve të reja, duke e kthyer festivalin në një vitrinë të muzikës shqiptare.

Në mesin e artistëve që do të performojnë në Prishtinë janë disa nga emrat më të njohur të industrisë muzikore, si Dhurata Dora, Ledri Vula, Lumi B, Lyrical Son, MC Kresha dhe Buta. Të gjithë kanë ndërtuar prej vitesh një karrierë të suksesshme, me hite që kanë dominuar skenën shqiptare dhe kanë fituar një audiencë të gjerë edhe jashtë trojeve shqiptare.

Programit të festivalit do t’i bashkohen edhe Eko, Sahati dhe grupi legjendar "Asgjë Sikur Dielli", duke sjellë në skenë stile të ndryshme muzikore dhe duke i dhënë festivalit një larmi artistike.

Sunny Hill 2026 do të shërbejë gjithashtu si një platformë e rëndësishme për promovimin e artistëve të rinj shqiptarë. Në skenë do të performojnë Bana Zahiti, Erëza Çerkini, La Fazani, Rreze, Sytë, Anitë, Art Haliti, Jolle, Ilo, Caboo dhe Uran B, emra që po krijojnë identitetin e tyre në muzikën bashkëkohore.

Një tjetër emër që ka zgjuar interes është edhe Gjin Lipa, vëllai i Dua Lipës, i cili do të performojë në C4 Stage, një hapësirë e dedikuar artistëve dhe krijuesve të rinj.

Me një program që ndërthur emra të afirmuar me brezin e ri të muzikës, Sunny Hill Festival synon edhe këtë vit të promovojë skenën shqiptare përpara një publiku ndërkombëtar. Festivali mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në rajon, duke u kthyer çdo verë në një pikëtakim për artistët dhe adhuruesit e muzikës nga e gjithë bota.