
Një pyetje e bërë në studion e "Top Arena" duket se ka ndezur sërish diskutimet mes disa ish-banorëve të "Big Brother VIP Albania".
E ftuar në emision ishte Gerta Kazazi, e cila u përball me rubrikën "Kaq", ku Brikena i rikujtoi një situatë nga koha kur ishin pjesë e shtëpisë më të famshme në Shqipëri.
"Kam parë disa video që, kur kemi qenë në Big Brother VIP, ti, Shëndriti, Selin dhe Gimbo flisnit për mua. Po tani, çfarë flisni për mua?", ishte pyetja e Brikenës.
Gerta zgjodhi t'i japë fund çdo aludimi, duke theksuar se loja tashmë i përket së kaluarës.
"Secili ka pasur angazhimet e veta. Gjithmonë mbetet shija e mirë. Edhe respekti për njëri-tjetrin. Siç kam për ty, edhe për të gjithë banorët e tjerë, sepse loja ka përfunduar", u përgjigj ajo.
Megjithatë, pak orë pas transmetimit të emisionit, një reagim i Selinit në Instagram ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve.
Ish-banorja publikoi në InstaStory një postim informues mbi çrregullimin narcisist të personalitetit, të cilin e shoqëroi me një koment që u interpretua nga shumë ndjekës si një thumbim i drejtpërdrejtë ndaj Brikenës.
"Kam faj unë që kam TV dhe rrjete sociale, që ato që më humbin në TV, m'i nxjerr Zoti në IG. Dmth... Gjithsesi, sharing is caring...", shkroi Selin.

Edhe pse ajo nuk përmendi asnjë emër, koha e publikimit të postimit ka bërë që në rrjet të nisin menjëherë aludimet se mesazhi lidhej me pyetjen e Brikenës në "Top Arena".
Deri tani, Brikena nuk ka reaguar publikisht ndaj postimit të Selinit, ndërsa mbetet për t'u parë nëse kjo situatë do të sjellë një tjetër përplasje mes ish-banoreve të "Big Brother VIP Albania".
