Lil Wayne ka folur hapur për periudhën që kaloi në burgun Rikers Island në vitin 2010, duke zbuluar se nuk e ndërpreu kurrë krijimin e muzikës. Gjatë një interviste në podcastin Friends Keep Secrets, reperi 43-vjeçar tregoi se regjistronte këngë përmes telefonit, ndërsa vuante dënimin tetëmujor për armëmbajtje pa leje.

"Shkoja në studio çdo natë... në burg," tha ai me humor, duke sqaruar se "studioja" ishte në fakt qelia e tij.

"Regjistroja nga telefoni. U thosha të gjithëve të rrinin të qetë, sepse do të filloja të krijoja ritmin duke rrahur tavolinën," kujtoi ai.

Lil Wayne shpjegoi se të burgosurit duhej të ishin në shtretër në orën 22:45, por ai kishte gjetur një mënyrë për ta anashkaluar këtë rregull. Ai niste telefonatat pak para orarit të gjumit, në mënyrë që të mund të vazhdonte regjistrimin edhe më vonë.

"E bëja me qëllim. Prandaj të gjithë duhej të përqendroheshin. Ishte vetëm unë në telefon dhe kështu mund të regjistroja," tha ai.

Kur u pyet nëse të burgosurit e tjerë përpiqeshin ta dëgjonin teksa këndonte, ai u përgjigj se shumica nuk interesoheshin fare për atë që bënte në telefon.

Megjithëse shumëkush mund ta konsiderojë atë periudhë si vitin më të vështirë të jetës së tij, Lil Wayne tha se përvoja nuk ishte aq e rëndë sa mund të mendohet.

"Jo aspak. Duhet t'u jap meritat njerëzve që ishin rreth meje atje. Ata e bënë misionin e tyre të ma lehtësonin qëndrimin," u shpreh reperi.

Në fillim ai përpiqej t'i bënte ditët të kalonin sa më shpejt, por më vonë nisi të shihte televizor bashkë me të burgosurit e tjerë.

Lil Wayne u lirua në nëntor të vitit 2010, pasi kreu tetë muaj burg për akuzat e armëmbajtjes pa leje, që lidhnin me arrestimin e tij në vitin 2007.

Më herët, në një intervistë për Rolling Stone në vitin 2010, ai kishte deklaruar se e shihte gjithë përvojën si pjesë të planit të Zotit.

"I shoh gjërat si të destinuara të ndodhin. Nëse Zoti po më kalon nëpër këtë përvojë, atëherë është diçka që duhet ta përjetoj. Nuk e quaj të drejtë, por as nuk e shoh si diçka krejtësisht të gabuar," ishte shprehur ai.