
Katër vjet pas publikimit të Don’t Worry Darling, Olivia Wilde ka folur hapur për periudhën e trazuar që shoqëroi filmin dhe për ndikimin që pati ekspozimi i jetës së saj private.
Në një intervistë në podcastin e Louis Theroux, aktorja dhe regjisorja tregoi se polemikat që shpërthyen në vitin 2022, përfshirë edhe ndarjen nga Harry Styles, e larguan vëmendjen nga vetë filmi dhe puna e ekipit.
Wilde dhe Styles ishin në një lidhje për afro dy vite, nga fundi i vitit 2020 deri në nëntor 2022. Në të njëjtën periudhë, Don’t Worry Darling u shoqërua me një sërë spekulimesh, nga raportimet për tensione me Florence Pugh deri te thashethemet për atmosferën në xhirime, duke dominuar diskutimet publike.
Sipas regjisores, kjo situatë ndikoi drejtpërdrejt në mënyrën se si u perceptua projekti. “Besoj se e dëmtoi filmin, sepse nuk patëm mundësinë të flisnim për atë që filmi përpiqej të thoshte. Ishte një keqardhje, sepse shumë njerëz punuan jashtëzakonisht shumë për ta realizuar atë film gjatë periudhës së COVID-it.”
Ajo kujtoi se filmi u realizua me një buxhet prej rreth 30 milionë dollarësh, ndërsa ekipi krijues arriti të sillte në ekran një produksion që dukej shumë më ambicioz.
Megjithatë, Wilde pranoi se polemikat nuk ndikuan vetëm te filmi, por edhe tek ajo personalisht.
“Por ne nuk patëm mundësinë të flisnim për këtë. Mendoj se kjo e dëmtoi filmin. Më dëmtoi edhe mua, sepse deri në atë moment isha shumë naive për mënyrën se si mund të funksionojë interneti dhe sa i pamëshirshëm mund të jetë ai.”
