Asnjëherë nuk i mërzitet një Rrugë në Etten, apo kalldrëmi i Kafes në Place Du Forum, brenda tablove të Van Gogh-ut, por për shëtitjet e vërteta pëlqen, prapë dhe prapë, bulevardet e njohur të qyteteve evropiane. Si një arrati, gjithsesi… sepse Monika Stafa, kryetare e Këshillit të Ankesave pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive, për të jetuar, do zgjidhte gjithmonë një vend ku mund t’i shërbente vendit të saj.
Edhe lumturisë ia ka gjetur burimin aty ku njeriu mund të bëjë një të mirë për një njeri tjetër. Madje edhe tipari që admiron më shumë te një burrë, është adhurimi i tij për gjysmën tjetër. Sepse ne kështu jemi! Për mirë a për keq, qenie pazgjidhshmërisht të bashkuara me të tjerë! Që ndonjëherë na ngadalësojnë hapin e ndonjëherë na e kthejnë rrugëtimin në një udhëtim të paharrueshëm…Sa për rrugën, ajo e sheh përpara plot punë për të bërë…dhe shumë, sa shumë liri!
Cila është pika më e thellë e mjerimit për ty?
Të mos mundem më të shkruaj.
Nëse do mund të zgjidhje, ku do të të pëlqente të jetoje?
Aty ku do të mund të shërbeja më mirë për të ndërtuar vendin tim.
Çfarë është lumturia për ty?
Çaste shërbimi në të mirë të një grupi njerëzish apo komuniteti në nevojë.
Për cilat gabime ndihesh më shumë fajtore?
Ndoshta duhet të kisha ecur pak më shpejt në jetë. Por jo gjithçka është në dorën tonë. Ne jemi qenie që pazgjidhshmërisht nuk mund të veprojmë të vetmuar.
Cilët janë heronjtë dhe heroinat e tua në letërsi?
Jean D’Arc, Anne Frank, Jo March, Jane Eyre, Anna Karenina, etj.
Cilat personazhe të historisë vlerëson më shumë?
Kemal Ataturk, princesha Elisabeth e Austrisë, Geraldina Appony, Musine Kokalari, Ramize Gjebrea, etj.
Po heronjtë e jetës reale?
Donald Lu, Romana Vlahutin.
Piktori i preferuar?
Van Gogh.
Muzikanti i preferuar?
Eric Clapton.
Cilësia që admiron më shumë te një burrë?
Adhurimi ndaj gjysmës tjetër të tij.
Po te një grua?
Përkëdheljet femërore në krah të burrit që dashuron.
Virtyti i preferuar?
Mirënjohja.
Aktiviteti i preferuar?
Shëtitjet në bulevardin e çdo qyteti evropian.
Nëse do të ishe një person tjetër, kush do të ishe?
Monika që jam.
Tipari yt më i spikatur?
Kokëfortësia e pashembullt për t’i çuar gjërat deri në fund ose ndryshe....braktisje.
Po tipari që vlerëson më shumë te miqtë?
Sinqeriteti dhe çiltërsia.
Cili është defekti yt më i madh?
Nëse mund të quhet defekt: dëgjoj shumë e flas pak.
Nëse do të ishe një objekt, ose një kafshë, çfarë do ishe?
Një çip për të rregulluar mendjet e mbrapshta të njerëzve të vegjël dhe frikacakë.
Ngjyra e preferuar?
E kuqja e thellë.
Lulja e preferuar?
Trëndafilat e freskët të majit.
Shpendi që të pëlqen?
Shqiponja.
Cilët janë shkrimtarët e tu të preferuar?
Michel Houellebecq, Orhan Pamuk, Ernest Hemingway, Nabukov, Dostojevski, Sarter, Calvino etj.

Po poetët?
Ndre Mjeda, Veli Stafa, Migjeni, Poradeci, Asdreni.
Cila është gjëja që nuk e pëlqen fare?
Zëri i lartë dhe i shëmtuar në biseda personale po aq dhe në publik.
Çfarë dhuntie do doje të kishe?
Më shumë se ç’kam? S’e di.
Si do doje të vdisje?
Ah, nuk e mendoj hiç. Kam shumë punë para.
Në ç’gjendje mendore je aktualisht?
Hap pas hapi, në përmbushje të disa objektivave strategjike që i kam vënë vetes.
Cila është motoja jote në jetë?
Puna të bën të lirë.