
Pas daljes nga shtëpia e “Big Brother VIP Albania”, Edisa Demollari duket se nuk ka ndërmend t’i lërë pa koment dinamikat që vijojnë të mbeten në qendër të vëmendjes së publikut. E ftuar në rubrikën “Trotuar” në “E Diell”, ish-banorja ka folur për raportin mes Brikenës dhe Mateos, por edhe për aludimet që e kanë përfshirë vetë atë në këtë histori.
Që në fillim, Edisa e bëri të qartë se mënyra si ajo e ka parë rrugëtimin e Mateos në shtëpi nuk përputhet me idenë e një finalisti që duhej shpërblyer nga publiku. Sipas saj, ka gjëra që një djalë nuk duhet t’ia nxjerrë kurrë një vajze në publik, sidomos kur bëhet fjalë për të shkuarën e saj.
“Unë si vajzë, nuk do doja kurrë që një djalë që përmend të shkuarën e një vajze në publik të shkojë në finale”, u shpreh ajo.
Më tej, duke u ndalur te marrëdhënia mes Brikenës dhe Mateos, Edisa la të kuptohet se për të kjo histori nuk është lexuar si një afrim i lindur natyrshëm, por më shumë si një lëvizje e ndërtuar me vetëdije brenda lojës. Në mënyrën si e tha, nuk kishte as mllef, as dramë, por një lloj bindjeje të qartë se ajo çfarë publiku ka parë nuk ka qenë aq spontane sa mund të jetë perceptuar.
“Nuk e di se si e bëri Brikena dasmën sepse ai e nxori atë mashtruese. Mendoj që ata e kanë lojë, një lojë që është luajtur bukur”, tha Edisa.
Ajo shtoi se shumë prej hapave të tyre i kishte parë të vinin përpara se të ndodhnin, dhe për këtë arsye, për të, raporti i tyre nuk mbante më shumë peshë se një afrim i lexueshëm dhe i parashikueshëm.
“Unë kam vënë bast aty brenda dhe thoja që nëse ata nuk puthen në atë nominim do puthen te tjetri dhe gjithmonë më kanë dalë bastet, kështu që ishin shumë të parashikuar për mua të them të drejtën”, u shpreh ajo.
Edisa donte ta mbyllte një herë e mirë thashethemet që e lidhin emrin e saj me Mateon jashtë shtëpisë. Me një ton të prerë, ajo mohoi çdo njohje apo afërsi me të, duke u distancuar qartë nga çdo aludim që ka qarkulluar.
“Dua të distancohem totalisht nga Mateo. Nuk njihemi fare nga jashtë. Kam 16 vite që jam shkëputur nga Elbasani”, deklaroi ajo.
