I ftuar në emisionin “Ndryshe” në Top Albania Radio, përballë Elona Duro dhe Salsano Rrapi, Arbër Hajdari ka folur jo vetëm për rrugëtimin e tij si drejtues i fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, por edhe për rolin e tij si opinionist në “Big Brother Vip Albania”.

Gjatë bisedës, ai preku edhe marrëdhëniet me figura publike si Monika Kryemadhi dhe Ledion Liço, por vëmendjen më të madhe e mori diskutimi për rolin e opinionistit dhe të ardhmen e tij në këtë format.

Në një moment të drejtpërdrejtë, Salsano e pyet:

Salsano: “Është opinionisti një profesion për ty?”

Arbër: “Jo, nuk është dhe refuzoj ta pranoj për të gjithë ata që e thonë, sepse edhe mendoj që duhet pas njëfarë kohe të ndryshojë.”

Më tej, ndërhyn Elona Duro:

Elona: “Përse duhet të ndryshojë?”

Dhe përgjigjja e Hajdarit vjen pa hezitim:

Arbër: “Nuk duhet të jetë gjithmonë një i njëjtë, sepse njerëzit kanë nevojë që t’i shohin gjërat edhe në këndvështrime ndryshe, pra nuk mund të jetë punë.”

Kjo deklaratë ngriti menjëherë pyetjen që shumëkush po bën:

Elona: “Me këtë thua që nuk do të jesh më?”

Por Hajdari nuk jep një përgjigje të prerë, duke sqaruar:

Arbër: “Unë nuk e thashë këtë, unë them çfarë është më mirë. Mendoj që opinionisti është një njeri i cili ka eksperiencën e tij, mbi gjërat që ka kaluar në jetë dhe ndan mendimin e tij ashtu si e sheh ai botën sepse ai nuk mund ta shohë siç e duan njerëzit, ama e rëndësishme është që ai të thotë mendimin e tij.”

Diskutimi vazhdoi edhe më tej, duke prekur fenomenin e opinionistëve në televizionet shqiptare:

Salsano: “Nëpër studio televizive ka shumë opinionistë…”

Elona: “Gazetarë politikë…”

Dhe në këtë pikë, Hajdari bëhet edhe më kritik:

Arbër: “Nëse po flasim për gazetarë politikë po flasim për gazetarë politikë, nëse po flasim për njerëz që marrin përsipër t’i bëjnë të gjitha unë mendoj që në fund nuk bëjnë asgjë. Se nuk mund t’i bësh të gjitha nuk ke kohë të marrësh informacionin e nevojshëm ta verifikosh a është i vërtetë. Si mund të flasim për të gjitha?”