
“United Festivalb” pritet të sjellë atmosferën shqiptare në zemër të New York-ut gjatë fundjavës së 16 dhe 17 majit, në SIUH Community Park, shtëpia e Ferry Hawks në Staten Island.
Për dy ditë me radhë, komuniteti shqiptar dhe jo vetëm do të ketë mundësinë të përjetojë një event të madh muzikor dhe kulturor, që synon të bashkojë publikun përmes muzikës, traditës dhe shijes autentike shqiptare. Të shtunën aktiviteti do të nisë në orën 12:00 dhe do të zgjasë deri në mesnatë, ndërsa të dielën dyert do të hapen po në 12:00, për t’u mbyllur në orën 22:00.
View this post on Instagram
Organizatorët kanë konfirmuar deri tani 23 artistë, mes të cilëve Ledri Vula, Xhensila Myrtezaj, GASHI, Shkurte Fejza, Kida, Lyrical Son, MC Kresha, Aurela Gaçe etj., ndërsa emra të tjerë specialë pritet të zbulohen në vijim. Një nga elementët më interesantë të këtij festivali është fakti se line-up-i do të jetë krejtësisht i ndryshëm në secilën ditë, çka do të thotë se artistët do të performojnë vetëm në njërën nga dy ditët e eventit. Programi premton një ndërthurje të muzikës tradicionale shqiptare me ritmet pop, duke sjellë në skenë artistë të njohur që kanë lënë gjurmë si në tregun lokal, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Përtej muzikës, festivali synon të ofrojë një përvojë të plotë shqiptare. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të shijojnë ushqime dhe pije shqiptare, në një atmosferë që nuk promovon vetëm argëtimin, por edhe mbështetjen për bizneset dhe komunitetin shqiptar.
Biletat janë tashmë në shitje në unitedfestivalb.com. Organizatorët bëjnë të ditur se janë vënë në dispozicion edhe bileta në grup, me ulje që shkojnë deri në 25% për blerjet kolektive. Ndërkohë, festivali mbetet i hapur edhe për bizneset që duan të bëhen pjesë si sponsorë apo si tregtarë.
Me një program të pasur artistik, me shije shqiptare dhe me një frymë të fortë komunitare, “United” pritet të jetë një nga ngjarjet më të veçanta për shqiptarët në New York këtë pranverë.
View this post on Instagram
