
YouTuberi amerikan Johnny Somali, emri i vërtetë i të cilit është Ramsey Khalid Ismael, është dënuar me gjashtë muaj burg në Korenë e Jugut, pasi shkaktoi reagime të forta duke filmuar veten teksa kryente gjeste të pahijshme ndaj një statuje që përkujton viktimat e skllavërisë seksuale gjatë luftës.
25-vjeçari, i njohur si një “troll” në internet për sjelljet provokuese gjatë udhëtimeve jashtë vendit, shkaktoi zemërim publik kur puthi dhe bëri lëvizje të papërshtatshme ndaj statujës.
Autoritetet në Seul ngritën disa akuza ndaj tij për prishje të rendit publik në nëntor 2024, pasi ai publikoi një video ku shihej duke puthur dhe duke bërë lëvizje provokuese mbi monumentin gjatë vizitës në Korenë e Jugut.
Statuja, e njohur si “Statue of Peace”, është një memorial që përkujton të ashtuquajturat “comfort women” — gra që u detyruan në skllavëri seksuale nga ushtarët japonezë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Pas incidentit, Ismael kërkoi falje duke thënë se “nuk ishte në dijeni të rëndësisë së statujës”. Megjithatë, shumë persona e vunë në dyshim sinqeritetin e tij, sidomos pasi ai vazhdoi me sjellje problematike: sfidoi banorët vendas, bëri komente seksiste, ngacmoi njerëz në rrugë dhe publikoi video të papërshtatshme ndërkohë që hetimet ishin ende në zhvillim.
Që nga ajo kohë, atij i ishte ndaluar të largohej nga Koreja e Jugut.
Së fundmi, një gjykatë koreano-jugore e dënoi me:
6 muaj burg me punë,
20 ditë ndalim shtesë,
ndalim për 5 vite për të punuar në institucione që lidhen me fëmijë dhe persona me aftësi të kufizuara.
Sipas gjykatës, “i pandehuri ka kryer në mënyrë të përsëritur vepra kundër publikut për të gjeneruar përfitime përmes YouTube-it dhe ka shpërndarë përmbajtje duke shpërfillur ligjet koreane”.
Ismael është akuzuar edhe më parë për sjellje të ngjashme gjatë udhëtimeve të tij. Në Japoni, ai u kritikua për ngacmime ndaj banorëve dhe për komente provokuese mbi bombardimet e Hiroshimës dhe Nagasakit. Po ashtu, në vitin 2024, u ndalua gjatë një proteste në Tel Aviv për komente të papërshtatshme ndaj një policeje.
