Mozzik ka ndarë me publikun një lajm të rëndë që lidhet jo me muzikën, por me biznesin e tij në Zvicër. Reperi nga Kosova ka bërë me dije se garazhi i makinave që zotëron atje ka qenë shënjestër e një sulmi të qëllimshëm, duke sjellë pasoja të rënda materiale.

Lajmin e ka dhënë vetë artisti përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka treguar se si pasojë e sulmit janë djegur disa automjete me benzinë. Sipas tij, bëhet fjalë për një ngjarje serioze, që nuk mund të shihet thjesht si një incident i zakonshëm, por si një akt i rëndë që ka prekur drejtpërdrejt aktivitetin e tyre.

Në reagimin e tij, Mozzik shprehet se autorët dyshohet të jenë pjesë e një bande që vjen nga Franca, ndërsa thekson se dëmet e shkaktuara janë të konsiderueshme.

“Gjatë ditëve të fundit, garazha jonë e veturave në Zvicër ka qenë cak i një sulmi të rëndë nga disa persona që dyshohet të jenë pjesë e një bande nga Franca. Si pasojë, janë djegur disa vetura me benzinë dhe janë shkaktuar dëme të mëdha materiale”, shkruan ai.