Festat kaluan dhe të gjithë do të donim të digjnim kaloritë e bakllavasë apo gjelit të detit. Por si? “Nga duhet të filloj nëse dua të humbas kilogramë”?  Kjo është një nga pyetjet që më është bërë më shpesh që kur kam hapur blogun. Ju nuk jeni vetëm, nëse nuk dini nga të filloni! Ka shumë njerëz si ju, prandaj nuk duhet të keni komplekse për të pyetur.  Kam përshtypjen se pasi të lexoni këtë artikull, nuk do të keni më nevojë të pyesni se nga duhet të filloni.

Nga duhet të fillojmë për të humbur peshë:

1. Motivimi

Motivimi duhet të jetë shumë i lartë kur qëllimi juaj është të humbisni peshë, pasi  i gjithë proçesi kërkon disiplinë, strukturë dhe vendosmëri. Sidomos kur ne duhet të punojmë edhe të vazhdojmë edhe angazhimet e jetës së përditshme njëkohësisht.  Ky është një ndër hapat më të rëndësishëm. E keni provuar edhe më parë dhe keni hequr dorë? Këtë herë nuk duhet të jetë kështu. Bëjeni për veten tuaj.

2. Shkoni për një shëtitje

Kjo ishte mënyra si unë e nisa, dhe më besoni nuk ka vend më të mirë se natyra për tu inspiruar. Por edhe mënyra më e thjeshtë për të nisur aktivitetin fizik. Një shëtitje ju mund ta bëni kudo dhe kurdo. Nuk kërkon kosto, thjesht dilni dhe ecni, dhe më pas filloni të vraponi. Do digjni kalori dhe do të përmirësoni shëndetin tuaj.

3. Përkufizoni “ Pse” e nisa këtë rrugëtim

Pse do të humbasësh peshë? Shkruaje kudo qëllimin tënd, në pasqyrë, në makinë, në telefon. ‘’ Dua të humbas peshë që të mund të luaj me fëmijët e mi pa mu marrë fryma.” “Dua të jetoj më shumë se prindërit e mi.” Mund të jenë shumë arsye të ndryshme nga njëra tjetra, por mbaje mend gjithmonë qëllimin pse do të humbasësh peshë, pse e nise dhe nga ku e nise.

4. Krijoni një vizion në mendjen tuaj

Kur nis një rrugëtim të tillë shpesh tundohesh të dorëzohesh, të heqësh dorë. Por nëse krijon një vizion, një imazh në mendjen tënde se ku do të arrish, gjithmonë do të jesh e motivuar për të vazhduar. Kur e nisa, celulari im ishte i mbushur me foto modelesh fitnesi, me video. Sa herë i shikoja ndjehesha plot energji për të vazhduar, për të punuar më shumë. Kur ato mundeshin pse jo edhe unë. Me këtë mendim unë humba 10 kilogramë për 2 muaj, por më e rëndësishmja është se stili im i jetës ka ndryshuar totalisht. Dhe më besoni , nëse keni një stil jete të shëndetshëm, trupi bukur do ju shoqërojë gjithmonë pavarësisht  viteve. Sot unë kam akoma punë për të qenë si modelet që vazhdojnë të jenë në celularin tim, po di të them që jam mjaftueshëm e motivuar për tu bërë si ato. Edhe ju mundeni, të githë munden, ajo që ju pengon është thjesht mendja juaj. Beso se do të arrish vizionet e tua.

5. Duhet të dini:

Disbalanca e makronutrienteve: konsumi i shumë karbohidrateve jo të shëndetshme dhe pak proteinave është i dëmshëm. Pjesë e karbohidrateve duhet të jenë edhe fibrat.

Koha e vakteve: njerëzit nuk hanë  mëngjes, pak drekë dhe hanë një darkë shumë të madhe. Trupi ngadalëson tretjen në darkë vonë dhe gjatë natës ushqimet depozitohen në formën e yndyrnave pasi metabolizmi është ngadalësuar, dhe trupi nuk po harxhon më energji në të njëjtën kohë .

Zgjedhja e ushqimeve me shumë kalori: Bulmeti, mishi i kuq dhe sheqernat duhen përdorur më shumë kujdes. E njëjta gjë vlen për pastat, orizi, buka (këtu sasia është shumë e rëndësishme, pra 100g pasta janë të mjaftueshme për një vakt përshembull gjatë një dite. ) Sheqernat duhen eleminuar mundësisht në minimum, ndërsa bulmetet dhe mishi duhen zgjedhur me sa më pak ose aspak yndyrë. Përshembull një gotë qumështi pa yndyrë mund të kete 70 kalori, ndërsa një me yndyrë mund të shkoje deri në 140 kalori. Pra vetem zgjedhja e produktit çon në kursimin e kalorive. E njëjta histori është edhe me fibrat. Ato janë karbohidrate që trupi nuk i proçeson dhe dalin nga organizmi të pa përpunuara. Pra kanë vlerë kalorifike minimale. Pastat, dhe buka me integrale janë shembuj burimesh me fibra ndaj atyre produkteve klasike që kanë më shumë kalori dhe jo vlerat e fibrave.

6. Për më shumë rezultate stërvituni 3 – 4 herë në javë

Një trajnim 3 herë në javë duke kombinuar ushtrime kardio me ato të forcës do të ju ndihmojnë të keni shumë shpejt rezultate. Gjatë një sesioni kardio trupi harxhon shumë kalori, por nëpërmjet ushtrimeve të forcës  me pesha ju do të keni rritje të masës muskulare, metabolizmi juaj do të rritet kështu trupi do të djegë më shumë kalori në gjendje qetësie se më parë.

Kujdes!

Yndyrën, përdorni vaj ulliri dhe në sasi të kufizuar.

Kafet pa sheqer dhe elementë të shtuar si sheqer, biskota, qumësht.

Buka në sasi minimale dhe të jetë integrale.

Zarzavatet përdorini aldente, mos i zieni shumë duke i shkatërruar të gjitha vitaminat dhe mineralet.

Nëse doni të humbisni peshë, ëmbëlsirat duhet të jenë larg jush.

Kujdes në sasinë e ushqimeve që konsumoni.

Pini 2 – 3 kilogramë uji në ditë.

E rëndësishme është që pasi të keni arritur në peshën që dëshironi, ta ruani atë. Prandaj duhet të edukoheni me kulutrën e një stili jete të shëndetshëm. Investimi për shëndetin është gjëja më e mirë që mund të bëjmë. Asnjëherë nuk është vonë.  Unë ju rendita disa arsye, zgjidh një dhe fillo.

Përqafime, Cenkuela.