Autore e disa botimeve akademike në fushën e letërsisë, Enit është e njohur për publikun shqiptar për përkthimin e "Krenari dhe paragjykim" të Jane Austen dhe librat e saj "Tokëmjalta" dhe "Dhunë e dhunti" nga botimet Pegi. Që te emri, Enit Karafili Steiner, kuptohet prania e më shumë sesa një shteti në jetën e saj, që biografia e tregon më qartë. Shkrimtarja shqiptare është lektore në Universitetin e Lausanne-s, në Zvicër, ku ka botuar dhe disa libra studimorë mbi letërsinë angleze...

Letërsia përbën punën, por dhe aktivitetin e saj të preferuar, që për shumë njerëz nuk janë e njëjta gjë...Asaj mbi të gjitha i pëlqen të lexojë e të flasë me dikë, rreth asaj që lexon, duke e pasur fare të lehtë mandej të fantazojë.

Bota do të kish qenë një vend më i bukur, e me më pak mall, nëse Alpet zvicerane dhe Mesdheu do të ishin aq pranë sa një ecje e gjatë do luante rolin e mendimit. Edhe pse më e ngadaltë, më pak e lodhshme, me siguri!

Mund të jetë dhe një intervistë, diçka e bukur për t'u lexuar nga një shkrimtare.

Cila është pika më e thellë e mjerimit për ty?

Vetmia dhe frika kur humb njerëz të dashur.

Nëse do mund të zgjidhje, ku do të të pëlqente të jetoje?

Në një botë ku alpet zvicerane janë vetëm 30 km larg detit Mesdhe.

Çfarë është lumturia për ty?

Shëndet i bashkuar me marrëdhënie njerëzore të mbara.

Për cilat gabime ndihesh më shumë fajtore?

Gënjeshtra.

Cilët janë heronjtë dhe heroinat e tua në letërsi?

Ata që xhonglojnë gjuhën.

Cilat personazhe të historisë vlerëson më shumë?

Jezu Krishtin.

Po heronjtë e jetës reale?

Prindërit, heronjtë më të padukshëm.

Piktori i preferuar?

Paul Klee; piktorë të rrymës Para-Rafaelite; Jenny Saville, Agnes Toth

Muzikanti i preferuar?

Kushdo që përcjell bukurinë e violonçelit.

Cilësia që admiron më shumë te një burrë?

Përkushtimin dhe mirësinë.

Po te një grua?

Përkushtimin, mirësinë dhe humorin.

Virtyti i preferuar?

Thjeshtësia.

Aktiviteti i preferuar?

Të lexoj e të llafosem me dikë rreth asaj që lexoj.

Nëse do të ishe një person tjetër, kush do të ishe?

Pyetje që ushqen zilinë kjo. Ndoshta stërnipi im në vitin 2189. Ose Kapiten Janeway ne Star Trek: Voyager.

Tipari yt më i spikatur?

Ata që më njohin thonë, jam tip social introvert.

Po tipari që vlerëson më shumë te miqtë?

Thellësia e mendimit dhe e ndjenjës.

Cili është defekti yt më i madh?

Padurimi.

Nëse do të ishe një objekt, ose një kafshë, çfarë do ishe?

Celular.

Ngjyra e preferuar?

Blu, në s'ka blu, e bardha. Kur mbaron e bardha, marr të gjelbrën.

Lulja e preferuar?

Zambak i bardhë.

Shpendi që të pëlqen?

Lauresha.

Cilët janë shkrimtarët e tu të preferuar?

Ata që i lexoj më shumë se njëherë: J. Austen, A. Roy, J. L. Borges, J.J. Rousseau, Stendhal, A.Vehbiu, D. Bonhoeffer, G. G. Marquez, Camus, Yann Martel, J. Barnes,  S. Fitzgerald, I. Calvino, V. Nabokov, C. Achebe, S. Johnson, Balzac, K. Desai, Marilyn Robinson, etj, etj. Për fat të mirë, lista sa vjen e shtohet.

Po poetët?

Persi Shelli, Bajroni, Shekspiri, W. Whitman, P. Neruda, R. Frost, B. Brecht, Rilke.

Cila është gjëja që nuk e pëlqen fare?

Celularët dhe kohët e fundit ironia.

Çfarë dhuntie do doje të kishe?

Dhuntinë e shërimit.

Si do doje të vdisje?

81 vjeç, me pak vuajtje.

Në ç’gjendje mendore je aktualisht?

Në pritje.

Cila është motoja jote në jetë?

Hallet e së nesërmes lëri për nesër.