Hipokrati do të thoshte: "Përpiquni që ushqimi të jetë edhe ilaçi juaj”

Këtë herë kam vendosur të shkruaj për atë që është më thelbësorja për ne dhe familjet tona, të ushqehemi mirë, të ushqehemi shëndetshëm. Në fakt ne e ndërlikojmë shumë si çështje por në fakt nëse ndjekim disa rregulla të thjeshta patjetër jeta jonë do të ndryshojë në shumë aspekte. Kuzhina e vërtetë përbëhet nga pjata delikate, me përbërës të cilësisë së parë, të shëndetshme si peshku i rrallë, zarzavate të sapo mbledhura, supat me bishtaja të një shijeje të lashtë. Të gjitha ne mund të bëjmë më të mirën vetëm me pak përkushtim. Më poshtë po rendis disa nga rregullat kryesore.

1.Nëse është e mundur, bëni pazar çdo ditë ( e urrej frigoriferin, në të vërtetë i imi është gjithnjë bosh)Një supë e ruajtur prej disa ditësh humbet shumë vitamina dhe shumë elementë ushqyes. Ziejini sa më pak të jetë e mundur ushqimet( zarzavatet, mishin, peshkun). Ushqimet dukei zier më pak jo vetëm që kursejnë kohë por edhe nuk i humbasin vitaminat dhe kripërat minerale. Shembulli ideal është ai i vitaminës C, kjo vitamin nuk i reziston nxehtësisë, prandaj në proçesin e zierjes ajo humbet e tëra. Shumë e rëndësishme është edhe mënyra e gatimit, ato që e denatyrojnë sa më pak ushqimin janë gatimet e thjeshta si zierja, zierja me avull, ose pjekja me alumin.

2.Zgjidhni ushqime integrale e biologjike nga vende ku nuk janë përdorur plehra kimikë. Megjithëse kjo shpeshherë bëhet e vështirë për tu kuptuar.

3.Kosumoni pak mish të kuqe dhe sigurohuni që ai të jetë nga ferma të cilat nuk i ushqejnë kafshët me hormone.

4.Kosumoni shumë peshk deti dhe jo rezervati. Peshku i detit është ndër të paktët që nuk mund të rritet në rezervate.

5.Mbas zierjes shtojeni vajin, jo që në fillim. Dhe ai duhet të jetë patjetër vaji ulliri.

6.Sa më shumë fruta e zarzavate të stinës edhe jo të serës. Le të mendojmë si kur po jetojmë në fillim të viteve 1900,  a kishte atëherë domate në janar? Jo, atëherë të mos i hamë domatet që janë në treg në janar.

7.Mos e teproni me pije alkolike. Gjysëm gote verë në ditë do të ishte idealja për ata që duan patjetër ta shoqërojnë vaktin me të.

8.Evitoni në mënyrë kategorike pijet alkolike të forta.

9.Mos pini duhan.

10.Sa me pak sheqer dhe ëmbëlsira. Mundohuni që sheqerin ta zëvendësoni me mjaltë ose sheqer të kaftë paktën.

11.Mos e filloni ditën asnjëherë pa mëngjes. Mëngjesi duhet të jetë vakti kryesor. Nuk e kam përzemër kapuçinon dhe brioshin, megjithë historinë e veçantë që ato kanë. Pse nuk e dua brioshin? Sepse është e vështirë të gjesh briosh të gatuar me gjalp të freskët, thuajse kudo përdoret margarina. Një gotë qumësht, mjaltë, vezë dhe drithëra janë maksimumi për shëndetin. Edhe me një shprehje doja të mbyllja pjesën e ushqimit por jo shkrimin: “Hani një mëngjes si mbret, një drekë si princ dhe një darkë si varfanjak.”

Këto ishin 12 rregulla të përgjithshme por si mund të kuptohet një jetë e shëndetshme pa aktivitet fizik.Të bësh aktivitet fizik nuk do të thotë patjetër të rrish me orë të tëra në një palestër. Kjo më shumë ka të bëjë me pasionin. Dembelizmi është i madh dhe koha është e pakët, por kujdes, kardiologjia moderne e përcakton aktivitetin fizik si zgjidhjen më të mirë ndaj sëmundjeve kardiovaskulare. Sasia e lëvizjes së këshilluar është 30 minuta në ditë. Gjatë ditëve të javës zgjidhjamë e mirë është biçikleta ose stepi. Në mëngjës duke parë lajmet, ose në mbrëmje duke parë një film. Të dielave vishni tutat e sportit dhe bëni vrap mes pemëve duke thithur ajrin e pastër. Meqë hamë çdo ditë edhe duhet të lëvizim çdo ditë. Pasi kjo na është kthyer në një zakon do të ndjehemi më mirë, muskujt tonifikohen, qarkullimi gjakut përmirësohet dhe ulet kolesteroli.

Përqafime, Çenkuela!