Sapo kaluam ditën e 1 Qershorit, festën e vogëlushëve dhe atyre që ende ruajnë të voglin brenda vetes. Propozimi i librit për këtë fundjavë nuk mund të ishte kurrë gjë tjetër veçse një libër që të kujton çastet, të cilat mbartin tharmin e jetës, nga sytë e një fëmije. ''Princi i Vogël'' është shkruar nga autori francez Saint-Exupéry. Ky libër renditet i treti në botë, përsa i përket shitjeve dhe në këtë rast nuk flasim për shifra, por për vlerat e jashtëzakonshme njerëzore, të cilat përcillen nga ''Princi i Vogël'' e burojnë nga pafajësia e fëmijëve.
Historia e një djaloshi 6-vjeçar, i cili adhuronte pikturën dhe vizatimin, por ishte lodhur nga opinionet e të rriturve mbi pikturat e tij. Pasi vitet kaluan, rrjedha e jetës e bëri aviator dhe avioni i tij u rrëzua në shkretëtirën e Saharasë.
Në mes të askundit, krejt rastësisht ai njihet me Princin e vogël dhe planetin e tij/asteroidin në të cilin jetonte. Princi i flet për aventurat e tij dhe i kujton se një pjesë prej fëmije, ëndërrimtari dhe i ndjeshëm kishte mbetur në të edhe pse vitet ishin rrokullisur.
Ky libër trumpeton dashurinë në çdo rresht dhe alegoria, e cila është figura letrare e përdorur pa masë në të, përcjell mesazhe të mëdha. Djaloshi e braktisi rehatinë e planetit në të cilin mbretëronte i lumtur, për t’u nisur në zbulim të universit.Gjatë këtij rrugëtimi aventuresk arriti të zbulojë sjelljet e të rriturve, u njoh me botën e tyre, por nuk u bë pjesë e saj.
‘’Princi i Vogël’’ është një kthim në botën e ëndrrave, atje ku gjithçka mban aromë sheqeri dhe atje ku lodrohet. Secili nga ne e mban fshehur fëmijën brenda zemrës, i mungon naiviteti, çiltërsia, dashuria e sinqertë dhe mos ekzistenca e frikës.
Ju ftoj në leximin dhe rileximin e tij për t’u kthyer edhe disa çaste të vegjël e të lumtur si Princi i Saint-Exupery.
Lexohemi javën e ardhshme,
|Njëtufërrezeshnëpër RE