Kur merr përsipër të bësh diçka të tillë, e bën thjesht nga dëshira për të provuar, për të vënë veten në provë. Mbase, jo me ndonjë qëllim të madh – thjesht për të dalë nga rutina, tepër aktive ndonjëherë dhe e lodhshme shumë herë të tjera. Por ndoshta edhe nga ndjenja për të qenë e çliruar; një lloj egoje për të rifituar lirinë (më duket mua, se njeri nuk ma ka marrë. As edhe në këtë rast kur, më shumë se çdo herë, ndjej praninë e saj).

Kohët e fundit, pata një periudhë që më duket sikur do kaloja në një krizë të pashpjegueshme. Nuk kisha kohë për askënd; as për prindërit, as për shoqërinë, as për një birrë të ftohtë duke ndjekur ndeshjen e skuadrës sime të preferuar (s’po pretendoj t’i shoh të gjitha ndeshjet e Botërorit – është luks i madh). Të gjithë më kërkonin: estetistja – flokët ulërinin nga dëmtimet e nevoja urgjente për trajtim; librat – 6-mujorin e fundit i kisha me zell e s’pata kënaqësinë të çoja ndonjërin deri në fund. Absurde. Dentistja nuk më flet më (ka arsye edhe ajo, edhe formën e saj të “dënimit”). Të mos flas pastaj për aktivitetin fizik, ‘edukimin fizik’ e ka marrë lumi prej kohësh, aq sa shumë shpejt nuk do ta njoh veten para pasqyrës. Një kavanoz me reçel fiku dhe një iso për obezitin është një skenë që e shoh shumë afër…

Nejse. Punë dreqi. E vërteta është që mora përsipër një risk të madh, tepër të madh. As nuk i mendova pasojat e tmerrshme që i dhanë formë vendimit tim emotiv dhe naiv. Vendosa të heq të gjitha mediat sociale, nga telefoni e, rrjedhimisht, të ‘switch off’ internetin. Dukej gjëja më e thjeshtë dhe argëtuese në botë. Hoqa brenda 5 minutave Facebook-un (8 accounts), Instagram-in (7 accounts), Whatspp, Viber, Linked In, hoqa gmail-in me 6 adresa. Me pak fjalë, vendosa të largohem nga rrjetet sociale dhe interneti i telefonit, që, me të drejtë, mos t’i merrja me vete në shtëpi.

Por kisha një problem. Puna ime, si edhe e shumë njerëzve sot, është e lidhur 100 për qind, me mobile-in, internetin dhe rrjetet sociale. Komunikimi online, përveç të tjerave, është puna ime. Komunikimi me të gjithë klientët apo çdo komunikim tjetër online më “detyron” të mos shkëputem plotësisht nga rrjeti, sado që kam dëshirë ta bëj shpesh. Kështu që procesin e mbylljes së të gjitha “portave” e realizova në darkë dhe ndërkohë që flija, nuk e ndjeja mungesën e tyre në jetën time. Megjithatë, kur u zgjova, veprimi i parë, në mënyrë instinktive, ka qenë hapja e Intagramit për të parë “hyrjet” e fundit. Nuk e gjeta, normalisht, sepse e kisha fshirë. Qesha një sekondë, sepse kuptova sa ‘e droguar’ isha.

U ngrita të bëhem gati, vendosa kufjet në vesh dhe kudo me to duke dëgjuar muzikë, deri në momentin që dola nga shtëpia. U kujtova që duhet t’i shkruaja stafit të shitjeve për një porosi. Referenca e parë ishte grupi në Whatspp… Mos! Kuptova sërish pamundësinë e komunikimit. Duhet të krijoja një urë të re.

Sapo zbrita shkallët, u kujtova që, nëse do ketë ndonjë urgjencë dhe të gjithë do më shkruajnë në Whatsapp, si do t’ia bëj? M’u shtua edhe një stres tjetër. Ne, si shoqëri, kishim krijuar kushte të reja, forma të ndryshme komunikimi për të lehtësuar punën, por në mungesë të tyre, komunikimi bëhet i vështirë dhe na pushton një ndjenjë absurde vetmie dhe pasigurie.

Dita vijon në vendin e punës. Për fat, kisha PC-në përpara me adresat e email-ve të hapura, kështu që disa komunikime zyrtare nuk do t’i humbisja. E kisha ndarë mendjen, si kokëfortë që jam, që do i shkoja deri në fund të ditës këtij “evenimenti madhështor” dhe stresues të heqjes së internetit dhe mediave sociale nga jeta ime.

Më vinte një dëshirë t’i rihapja herë pas here, por kjo më ndodhi vetëm pjesën e parë të ditës. Isha aty, gati për të shkarkuar Instagram-in dhe linkedIN sërish. “Punë e madhe”, thashë me vete. Por pastaj autokritika nuk më linte… “Pse kaq e paqëndrueshme qenke? – i thashë vetes. - Po sikur të kesh vendime të rëndësishme në jetë, do pendohesh pas 12 orëve?” Ç’t’ju them, me dukej vetja një dëshpëruese, njeri pa emër, pa familje, pa miq, një “No face, No Name, No Number”.

U ula të pija kafen, pastaj hëngra dhe drekën. Gati u çmenda. Hapja telefonin 25 herë në minutë. U bëra nervoze. Vendosa të mendoj, ndërkohë, se isha përqendruar si budallaqe tek mungesa, jo tek ajo çfarë kisha. Fati ishte që njëra nga koleget erdhi aty e pas saj një tjetër dhe ato 20 minuta në kafe ishin fantastike. Dhe jo vetëm sepse unë nuk kisha internet, por sepse ua mbylla dhe atyre që të ishim të gjithë të barabartë. Në fakt, bëmë shumë mirë. Biseda u bë aq intensive, saqë kishim për çfarë të flisnim, s’na pengonte asgjë. Mendoj se ky lloj intimiteti nuk do ishte krijuar nëse do rrinim me telefona në duar.

Dita në punë vazhdoi ashtu gjysmake, sepse më mungonte komunikimi me botën tjetër virtuale. Shpesh, pyesja veten nëse dikush ishte shqetësuar që nuk kisha kthyer pergjigje. Ime më më mori në telefon e nervozuar “Pse nuk më kthen përgjigje?”, “Kam që në orën 10:00 që të shkruaj dhe nuk begenis të thuash as Mirëmëngjes”, “Kështu jeni ju të rinjtë, ju merr koka erë, harroni gjakun tuaj”. Ç’t’i thoja! Kisha shkaktuar edhe nervozizëm tek njerëzit. Mami mban dhe hatër një javë. Uhhhh!

Erdhi pasditja dhe do dilja me miq. Ndërkohë, isha disi e mësuar me mungesën. Si duket, njeriu përshtatet shpejt dhe kjo fillon nga mendja. Sforcimi më i madh ishte mendimi. Mendimin duhet ta shtyja në drejtime të tjera prioritare dhe me peshë. Me miqtë ia kaluam jashtëzakonisht shumë mirë, saqë u merakosën pse nuk kisha telefonin në dorë.

Pasi shkova në shtëpi, telefonova time më dhe katër ose pesë njerëz të tjerë; bëra punët e shtëpisë (edhe pse nuk jam nikoqire e mirë), riorganizova raftin e rrobave; seleksionova rrobat që nuk i vesh më; riparova një palë sandale që më ishin këputur; vizatova një telajo miniature me bojëra akrilike (një shkarravinë që e dashurova menjëherë); hekurosa një fustan që zgjodha të vesh të nesërmen në punë; ndryshova ngjyrën e pedikyrit; shkrepa dy fotografi në ‘low light’ duke nxjerrë në pah siluetën e Bonsait që kam në shtëpi (pasi e ujita me shumë kujdes, duke e pastruar gjethe për gjethe). Në fund, para se të flija, lexova me një frymë ‘Blink te Malcom Gladwell’ (e gjeni në shqip në shumë librari në Tiranë) dhe fjeta si qengj.

Si arrita të bëja gjithë këto gjëra në një darkë si gjithë të tjerat? Jua siguroj, që nëse do isha nën efektin drogues të internetit dhe rrjeteve sociale, do isha duke bërë Scroll Up and Down. Gjumi ishte i rehatshëm; nuk mbaj mend të kem parë ndonjë ëndërr specifike, por disi në tym isha e lumtur që kisha çuar në fund misionin tim 24-orësh.

Kur u zgjova në mëngjes, pasi u ushqeva mirë, vendosa të ndez internetin dhe të instaloj edhe njëherë të gjitha rrjetet sociale. Pas 5 minutave, telefoni u bllokua. Më vinte të qeshja. Më kishte marrë malli për krizën. Realitetin e kisha jetuar një ditë më parë. Të nesërmen, rifillova rutinën e preferuar. Vetëm një detaj po ju them: kisha 250 mesazhe në Whatspp. Prandaj, e quaj krizë. Prandaj e lashë…. dhe e lashë vetëm 24 orë.