Për të katërtin vit me radhë, prestigjiozja “Time” ka publikuar pak ditë më parë listën me 25 njerëzit më me ndikim në rrjetet sociale. Shumë prej kësaj liste mund të konsiderohen edhe si karaktere problematike, ndërkohë që shumë të tjerë fitojnë miliona pëlqime vetëm nga një foto me mace. Një pjesë e tretë kanë postime më humane në profilet e tyre dhe me fotot që ndajnë qëllimet i kanë më universale – duan ta bëjnë botën dhe njërëzit që i përkasin asaj më të mirë.
Ndoshta ju, shumë prej personazheve të kësaj liste mund të mos i ndiqni, por kjo nuk e zbeh influencën e tyre, përkundrazi. Pas vendit të parë, Kylie Jenner, në top listë janë edhe Rihanna, Kanye West, Busy Philipps dhe Matt Drudge. Po pikëpyetja më e madhe është tek ajo, 20-vjeçarja që po çmend rrjetin dhe kohën tonë.
Pse Kylie Jenner?
Shumë prej nesh mund të bëjnë habi dhe, ndoshta, kanë të drejtë edhe të rrudhin buzët: Kylie Jenner? Por është pikërisht ajo që paska influencuar në rrjet më shumë se të gjithë. Arsyet mund të jetë disa, madje mund të gjejnë vend për diskutim edhe në Shqipëri, megjithatë ajo është në krye të listës dhe ky është fakt.
1. Vetë ‘Time’, me siguri, me profilin që ka, do të donte që këtë “karrige” ta zinte një emër i madh i artit, politikës, biznesit apo një personazh i ardhur nga shoqëria civile, dikush që ka derdhur djersë për të qenë ai që është dhe më shumë djersë për t’u pranuar ai që është. Në fakt, nuk është kështu. Sot, jo më. Një personazh i tillë nuk mund të ketë më shumë ndikim se Kylie… Fatkeqësisht, JO MË!
2. 20-vjeçarja Kylie theu rekord në muajin shkurt, kur postoi për herë të parë fotografinë e foshnjës së sapolindur, duke u bërë imazhi me i pëlqyer në Instagram. Deri në atë kohë, më e vogla e Kardashians kishte ruajtur profilin e saj në heshtje, pa u ekspozuar dhe pa bërë zhurmë. Por nuk i shoi dot aludimet për një shtatzëni të mundshme.
3. Kylie është vetëm 20 vjeç dhe bashkëmoshataret e saj janë brezi që ndjekin më shumë jetën virtuale. Domosdo, edhe fansat dhe komentet e tyre rritin ndikimin e Kylie-t në rrjet. Mjafton një foto e bukuroshes dhe komentet vërshojnë në kohë rekord, që e bën qartësisht të kuptueshëm fuqinë “Kylie”.
4. Jenner, këtë vit ka fituar shumë fuqi me lajmin e shtaztënisë së saj, por natyrisht edhe me linjën e produkteve kozmetike. “Time” shkruan për të: “Ajo mund të mos jetë më e ndjekur sesa motrat e saj të famshme, por aftësia e saj për të tërhequr fansa — madje edhe duke i kthyer ata në biznes – është e jashtëzakonshme.
5. Kylie Cosmetics është një brand tashmë që ka marrë përmasa globale. Është në rrugën e duhur, madje sipas disa vlerësimeve, vetëm në një 5-vjeçar, për ditëlindjen e saj të 25-të, Kylie do të jetë një miliardere.
6. Kylie është një ikonë e vërtetë mode. Por jo vetëm për adoleshentët. Motrat e saj, sidomos Kendall dhe Kim, janë gjithashtu mjaft influencuese sa i përket modës, por më e vogla e Kardashians është vlerësuar për origjinalitet në stil dhe aspak e ngjashme me Kim apo Kendall.
7. Kylie e ka kuptuar sekretin: sensualiteti dhe seksualiteti tërheqin gjithmonë vëmendje. Ajo, këto cilësi i ka armë të forta, edhe nëse i ka mësuar nga motrat, ndaj nuk shpëton asnjëherë pa e treguar me fotot në Instagram.
Nëse duhet apo nuk duhet të jetë Kylie Jenner personazhi më influencues i kohës sonë, është një diskutim i hapur që ende ka vend për dyshime. Ajo që nuk ka më asnjë dyshim është fuqia e saj në rrjet për të tërhequr drejt vetes fansa, vëmendje, komente e vlerësime, të cilat, shpejt e shpejt e pa u lodhur i përkthen në para.