Pyetja që më vjen më shpesh nga vajzat (pas kombinimeve) është “si të pozoj?” Unë nuk është se jam blogere me miliona ndjekës, por gjithësesi këto tre vite kam lexuar pafund e kam parë pafund, kështu që besoj se disa këshilla të vogla edhe mund t’jua jap. Shpresoj që t’ju shërbejnë sado pak për ta realizuar atë foton e duhur, vajza të bukura.

Aksesorët
Një nga mënyrat më të thjeshta për ta bërë një foto të duket edhe më e këndshme është pikërisht përdorimi i aksesorëve të modës si psh: çantat dhe syzet. I veçova këto të dyja sepse për mendimin tim, syzet janë gjithmonë ndihmë e madhe për të dalë edhe më bukur dhe stil në foto (sidomos për ne që nuk e duam shumë grimin), kurse çantat, përveç se plotësojnë një veshje, të ndihmojnë shumë edhe me pozicionin e duarve. Vajzat që bëjnë shpesh herë foto, e dinë se sa e vështirë është të gjesh gjithmonë mënyrën e duhur sesi t’i mbash duart.
Ushqimet
E kam thënë edhe në një shkrim më parë, tani në Instagram nuk ka më poza të ngrira. Çdo gjë po vërtitet rreth natyralitetit dhe përditshmërisë, prandaj një foto më ushqime para do ju bëjë të dukeni si një blogere e vërtetë. Mund të postoni teksa shijoni mëngjesin tuaj diku, në një piknik, teksa hani një pizza në rrugë, kur pini një birrë me shoqërinë, etj, etj. Kohët e fundit janë bërë trend frutat dhe vërtet që i japin shumë “lezet” fotove. Provojini! ;)
Lulet
Nuk ka rëndësi nëse janë disa petale, një lule e vetme apo një buqetë, ato i japin shumë feminitet, ngjyra, bukuri e dashuri fotos. Përveç asaj, kur nuk dini çfarë të bëni me duart tuaja, ku ka më mirë sesa të mbani lule?
Fuqia e kafes
Kjo pije që ka bërë të varur shumë njerëz (përfshi këtu edhe mua :D), meriton një kategori më vete. Nuk ka blogere pa 746086408126534 foto me kafe para. Thjesht kujdesuni që të duket sa më natyrale dhe jo e mundimtë. Psh: Provoni ta mbani filxhanin pranë buzëve, qeshni teksa e shijoni atë dhe dikush ju fotografon. Nëse nuk jeni komode në një bar, merreni kafen me vete dhe shkrepni diku tjetër. Mundësitë janë të pafundme nëse doni një foto të bukur. :)
Produktet kozmetike
Për vajzat që e duan kozmetikën, mund ta shfrytëzoni për të realizuar disa foto shumë të bukura. Qëndroni para pasqyrës teksa lyeni buzët ose mbani pranë vetes produket tuaja të preferuara kur jeni në plazh. Kam besim te ju, përdoreni imagjinatën. ;)

Pres foto tani!
Ju kam xhan,
Arjena

P.S.:Faleminderit që i dhatë shkrimit tim kohën tuaj të shtrenjtë.

XoXo