Ditet e verës kërkojnë freski dhe mënyra më e mirë për t'u shplodhur e për të rrëmbyer energjitë pozitive për rikthimin në aktivitetet e përditshmërisë është nëpërmjet leximit.

Libri i kësaj radhe është ''Parfumi '',  historia  e një vrasësi shkruar nga autori gjerman  Patrick Suskind.

Ky roman ndërtohet mbi një absurd. Zhan Baptist, foshnja, e cila lindi në mes të neverisë, ndotjes dhe papastërtisë iu desh të rritej i vetëm e të gjente rrugën e jetës së tij. Askush nuk kujdesej, nuk e donte e më keq akoma çdokush e përçmonte, pasi ai nuk zoteronte aromë njerëzore, si gjithë të tjerët. Përçmimi i të tjerëve e bën të rritej i izoluar, i vetmuar dhe fillikat, por Zoti i kishte dhënë një aftësi të jashtëzakonshme, të cilën herë pas here as ai vetë nuk ishte i vetëdijëshëm se i përkiste, nuhatjen ''e imët''. 

 

Pikërisht, aftësia e veçantë dhe talenti i tij e bënë të mbijetonte. Pasi u zbulua nga një parfumator italian dhe ai arriti të deshifrojë adhurimin e Zhan Baptistit për aromat, e shfrytëzoi deri në pikën e fundit, duke nxjerrë prej tij parfumet më të preferuara të gjithë Francës.

Ai arriti të dehte popullin me aromat e krijuara nga gjithfarë  kombinimi lulesh, frutash, myshqesh e drurësh, por ajo që kërkonte me këmbëngulje e që i mungonte parfumit të tij ishte aroma njerëzore.

Veçimi dhe izolimi e bëri të mos mendonte për pasojat, por vetëm për qëllimin duke u kthyer kështu në një vrasës serial. Parisi u trondit nga vrasje të bujshme, të njëpasnjëshme të vajzave të bukura, të reja dhe më tragjik ishte fakti se të gjitha vrasjet tregonin se ishin kryer nga i njëjti kriminel, në të njëjtën mënyrë. Ai kërkonte nga vajzat me aromë të mrekullueshme flokët dhe çdo substancë trupore për t’i kthyer në një shishe të vogël me aromë mahnitëse.

Ky është libri që të mëson se askush nuk lind kriminel, por shoqëria, mungesa e përkushtimit, e dashurisë dhe e edukimit ndikojnë në krijimin e një përbindëshi të paskrupullt. Zhan Baptisti nuk kishte provuar kurrë ndjenjën e dashurisë dhe e vetmja herë kur kuptoi se cfarë është admirimi ishte në çastet kur populli ishte magjepsur e shtangur në të njëjtën kohë nga aftësia e tij.

Në perfundim, mund të them se ky është një libër i jashtëzakonshëm, i shkruar mjeshtërisht e i përkthyer bukur, rrjedhshëm dhe këndshëm. Ky është një libër, i cili do t’ju mbajë zemrat peshë e njëkohësisht do ju nxisë të reflektoni teksa argëtoheni me historinë e pazakontë.

Ju ftoj në leximin e ‘’Parfumi’’!

Rilexohemi javën e ardhshme,

|Një tufë rrezesh nëpër RE