Në Klubin e Librit #rrembelibrin vendosëm që muajin Korrik ta ndajmë me një autor nobelist. Orhan Pamuk është një nga shkrimtarët më të dashur turk, jo vetëm për kombin e tij, por tanimë për të gjithë botën. Librat e tij janë ndër më të kërkuarit, më  të lexuarit e më të diskutuarit.

Ai solli Turqinë në vëmendjen e gjithë botës, nëpërmjet librave të tij të mrekullueshëm, prej të cilëve lexuesit u njohën me historinë, kulturën, mendësinë dhe popullin turk. Pamuk u vlerësua me çmimin shkëlqimplote Nobel më 2006-ën dhe që prej asaj kohe dashuria e lexuesëve për të u shumëfishua.

Libri me të cilin freskuam zagushinë e tmerrshme të Korrikut ishte ‘’Muzeu i Pafajësisë’’ një nga kryeveprat më të arrira të autorit. Ky libër pa për herë të parë dritën e botimit më vitin 2008.

Ngjarjet e romanit zhvillohen në Turqinë e viteve ’75 – ’84 dhe në zemër të tij qëndron një histori e jashtëzakonshme dashurie mes Kemalit, një djali të kamur ekonomikisht, të realizuar e të fejuar me një vajzë plot sharm e finesë, por zemra e të cilit fillon të rrahi për kushërirën e tij të largët Fysunin. Në libër përvec dashurisë së tij, përjetimeve, jetës, përditshmërisë, mendimeve, ëndrrave dhe pengesave shfaqet njëkohësisht mentaliteti turk i atyre viteve. Kemali jeton në agoni, mes dy zjarreve dy dashurive, por e njëjta gjë është edhe për Turqinë. Ajo ndodhet në udhëkryqin e tranzicionit, mes lindjes e perendimit, mes të shkuarës e së ardhmes.

‘’Muzeu i Pafajësisë’’ është himni i shumë dashurive të vështira, të rrezikshme e gati të pamundura. Gjithashtu, ky liber është një panoramë e gjallë e Turqisë, me përshkrimet e hollësishme jo vetëm të rrethanave, vendit, traditave, artit, arkitekturës, mënyrës së  jetesës dhe perceptimit kolektiv, por njëkohësisht edhe të ngjarjeve, përjetimeve dhe ndjesive të personazheve. Në këtë libër shprehet gjithçka me pafajesinë e së vërtetës, me pafajesinë e dashurisë.

Ju me siguri nuk do habiteni, nësë mesoni se ‘’Muzeu i Pafajësisë’’ ekziston vërtetë. Autori e krijoi muzeun me objekte e kujtime për t’i sjellë lexuesit një prekje më të qartë të personazheve të tyre të preferuara në libër e njëkohësisht për të mbajtur gjallë lojën e mendjes, nëse gjithcka ka ndodhur vërtetë apo është në kufirin e imagjinatës. Fundja, ku fillon realiteti e mbaron ëndrra në këtë roman?

Përgjigja është e vështirë për t’u gjetur. Leximi i këtij libri është sikur të përjetosh një ënderr, e cila mban zemrën peshë prej tetëdhjete  e tre kapitujsh. Një libër prej shfletimit të faqes së fundit  të të cilit të kaplon trishtimi.

Për ta përmbledhur, mund të them se ky rrëfim përveçëse mund të jetë përralla para një gjumi të ëmbel, gjithashtu ka aftësinë të përcjellë te lexuesi një ndjeshmëri plot jetë. Shkruar përsosmërisht e po aq bukur edhe shqipëruar, ju sugjeroj të mos e lini pa lexuar këtë kryevepër.

 

Ju ftoj në leximin e ‘’Muzeu i Pafajësise’’ dhe ju mirëpres në Klubin e Librit #rrembelibrin.

Rilexohemi javën e ardhshme,

|Një tufë rrezesh nëpër RE