Gjermania vendosi që nga tetori të ndërpresë ofrimin e testimeve falas për COVID-19 për qytetarët e saj, një masë që ka për qëllim inkurajimin e vaksinimit të qytetarëve. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se vendi duhet të përshpejtojë fushatën e vaksinimit për të shmangur mbingarkesën e sistemit të kujdesit shëndetësor.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se vendi i saj duhet të shtojë përpjekjet për vaksinimin e banorëve, ndërsa shprehu shqetësim se një valë e re e rasteve me koronavirus mund të dërrmojë sistemin e kujdesit shëndetësor.

Duke folur në një konferencë për shtyp, pas takimit me guvernatorët e 16 shteteve gjermane, zonja Merkel njoftoi se qeveria do të ndalojë testimet falas për COVID-19 dhe se njerëzve do t’u kërkohet ose të vaksinohen, ose të rezultojnë negativë, ose të kenë një certifikatë të shërimit nga koronavirusi, në mënyrë që të kenë qasje në restorante, shtëpi kujdesi dhe palestra.

Testimi do të jetë çelësi për ata që ende nuk janë vaksinuar. Ne mund të ofrojmë vaksinë për çdo qytetar të Republikës Federale. Nga 11 tetori do të ndalojmë testimet falas. Kjo vlen për të gjithë ata që mund të vaksinohen. Përjashtim bëjnë personat me aftësi të kufizuara, ose ata që nuk mund të vaksinohen",- tha kancelarja Merkel.

Kur më shumë se gjysma e banorëve të vendit është imunizuar plotësisht, Kancelarja tha se studimet kanë treguar se vaksina është e efektshme në parandalimin e simptomave të rënda të COVID-19 dhe varianteve shumë ngjitëse, siç është ai Delta.

Gjermania pati një ritëm të ngadaltë të fillimit të fushatës së vaksinimit. Zyrtarët shqetësohen se vendi mund të mos arrijë synimin e përcaktuar nga Agjencia Federale e Kontrollit të Sëmundjeve për të imunizuar të paktën 85 për qind të grup-moshës 12 deri 59 vjeç dhe 90 për qind të atyre mbi 60 vjeç./voa/