
I akuzuari për kanosjen e moderatorit Alaudin Hamiti ka pranuar fajësinë në gjykatë.
Gjatë seancës fillestare, Liman Berisha e pranoi akuzën pasi ajo u lexua nga prokurori Arian Frrokaj. Ai deklaroi se ndihet fajtor për veprimin e kryer dhe kërkoi falje për ngjarjen, duke thënë se nuk ka pasur qëllim ta dëmtojë moderatorin.
Avokati i tij, Gojart Zymberi, e mbështeti këtë qëndrim dhe tha se bëhet fjalë për një reagim emocional, pa rrezik real. Ai kërkoi që klienti i tij të trajtohet me një dënim sa më të lehtë dhe t’i hiqet masa e arrestit shtëpiak.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja ligjore e palës së dëmtuar, Blinera Osmani, deklaroi se kërcënimi i ka shkaktuar frikë dhe pasiguri Alaudin Hamitit, duke ndikuar në gjendjen e tij emocionale dhe në jetën e përditshme.
Edhe vetë Hamiti u shpreh se nuk e njeh të akuzuarin dhe se nuk ka pasur asnjë konflikt me të, ndërsa kërkoi të dijë arsyen pse ishte kërcënuar.
Pranimi i fajësisë u miratua nga gjyqtari Eroll Gashi, ndërsa vendimi përfundimtar, si edhe çështja e masës së arrestit shtëpiak, do të jepen në shpalljen e aktgjykimit.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur në nëntor 2024 në rrjetin social Facebook, ku i akuzuari dyshohet se i ka dërguar moderatorit mesazhe kërcënuese. Për këtë rast, ai përballet me akuzën për veprën penale “kanosje”.
