Justin Bieber ishte vetëm pesë vjeç kur Coachella u themelua në 1999. Këtë vit, ai mund të hyjë në histori si headlineri më i paguar i festivalit që nga nisja e tij. Me një pagesë të supozuar prej 10 milionë dollarësh, të shtunën në mbrëmje “etheja e Justin Bieber”-it e përpiu Indio gjatë 90 minutave të koncertit të këngëtarit kanadez: një retrospektivë e debatueshme e karrierës së tij që, gjithsesi, dëshmoi sa e fortë mbetet rëndësia kulturore e Coachella-s në 2026.

Në shtator, kur u shpall line-up i Coachella 2026, biletat për fundjavën u shitën brenda vetëm tre ditësh (mes headlinerëve të tjerë ishin Sabrina Carpenter dhe Karol G, headliner-i i parë latino-amerikan i Coachella-s). Edhe pse nuk pati “sold out” të menjëhershëm siç ndodhte shpesh para pandemisë, shitjet e biletave mbeten një tregues i fortë i interesit të rikthyer për ta përjetuar festivalin live. Sidomos po të mendosh koston, ku biletat standarde për fundjavën e parë nisin nga 649 dollarë. Kur i shton udhëtimin dhe akomodimin, Coachella kthehet në një angazhim financiar serioz. Gjatë gjithë fundjavës çmimet e banesave në zonat përreth kishin shkuar në qiell nga “Bieberchella”, ndërsa në rrjete sociale qarkullonin pretendime se disa shtëpi me qira kishin arritur shifra pothuaj komike, pak nën 100 mijë dollarë. Disa gjëra vijnë e ikin, por pas asaj që pamë këtë fundjavë, me një barrikadë të lyer me vjollcën karakteristike të këngëtarit, “Bieber fever” është përgjithmonë. Po: është ngjitëse.

Por edicioni i sivjetshëm i Coachella-s nuk është vetëm për Beliebers. Mes 125 mijë njerëzve që mbushin shkretëtirën çdo fundjavë, ka turma influencerësh të dërguar nga brande si Poppi, Gap dhe Guess për të jetuar një eksperiencë luksoze, e menduar t’i bëjë xhelozë miliona ndjekës që i shohin nga ekrani. Coachella është quajtur “Olimpiada e influencerëve”, dhe të shkosh në festival me një brand është ende statusi suprem në internet, me ftesa gjithnjë e më ekskluzive dhe udhëtime gjithnjë e më ekstravagante nga viti në vit. Por, së fundmi, e gjithë kjo e ka shndërruar festivalin në një fabrikë përmbajtjeje, duke i zbehur në fund faktorët e “cool”-it. Nëse përpiqesh të lëvizësh nga një skenë te tjetra, bombardohesh nga aktivizime promocionale, vende për foto dhe radhë të pafundme për të blerë merchandising. Nëse nuk ke bërë një foto para rrotës panoramike, a ke qenë vërtet aty? Dhe nuk bëhet fjalë më vetëm për festivalin muzikor: përreth është ngritur një “fshat” i tërë, ku influencerët enden mes eventeve si Revolve Fest, Camp Poosh dhe 818 Outpost, duke mbledhur produkte falas dhe duke prodhuar përmbajtje gjatë rrugës. 

Natyrisht, moda sot është pothuaj po aq sinonim i Coachella-s sa edhe muzika. Por edhe kjo ka ndryshuar me kalimin e viteve, duke qenë se it-girls si Kylie Jenner dhe Hailey Bieber, që dikur e bënë Pinterest-in të shpërthente me outfit-e bohemiane dhe kurora lulesh, sot zgjedhin një qasje më casual e më të shkujdesur: kanë lënë mënjanë frangat dhe glitter-in për xhinse dhe T-shirt. Megjithatë, edhe pse stili i tyre “i shkretëtirës” evoluon, postimet nostalgjike në Instagram ende e shtyjnë vizitorin mesatar të vijë i veshur si cosplay i një epoke të kaluar.

Nëse arrin të rikthehesh brenda zonës së festivalit në Empire Polo Club, që shtrihet në qindra hektarë dhe pret 160 artistë gjatë gjithë fundjavës, e kupton pse disa pjesëmarrës janë gati të kampojnë, të heqin dorë nga ajri i kondicionuar dhe një dush i vërtetë për 72 orë: për eksperiencën. Programi i festivalit, që më dha mundësinë të shihja Katseye, Nine Inch Nails, David Byrne dhe Young Thug në të njëjtën fundjavë, nuk ka të ngjashëm në peizazhin aktual të festivaleve. Dhe pjesa më e bukur është se vetë artistët duken realisht të entuziazmuar që janë aty, duke e bërë festivalin një ëndërr të realizuar si për ta, ashtu edhe për publikun. Nëse je nga të rrallët që sigurojnë pass-in e artistëve, sheh edhe prapaskenat: një makineri mbresëlënëse, e mirëvajosur, me golf cart të dekoruar që fluturojnë nëpër shtigjet me rërë duke transportuar yje pop si ngarkesë të çmuar, të ndjekur nga enturazhet e tyre. Për një festival që shpesh të jep ndjesinë e një hierarkie elitare, ka diçka të çuditshme të barabartë në faktin se të gjithë duhet të durojnë së bashku vapën dhe pluhurin, nga bileta standarde te zona e artistëve: edhe yjet përdorin tualetet kimike.

Është e vërtetë që sot është një festival shumë i ndryshëm nga ai i 25 viteve më parë. Edicioni i parë pati Beck, Rage Against the Machine dhe Tool. Pas kaosit të Woodstock ’99 ishte një rrezik, dhe vitet e para dolën me humbje. Por ngadalë, këmbëngulshëm, Coachella fitoi popullaritet e kredibilitet, duke u kthyer në një shtyllë të muzikës alternative. Pastaj, në 2018, Beyoncé u bë gruaja e parë me ngjyrë që udhëhoqi festivalin dhe i ndryshoi përgjithmonë rregullat e lojës. Në një performancë historike, e fiksuar në dokumentarin e Netflix-it “Homecoming: A Film by Beyoncé”, ajo bëri një homazh të jashtëzakonshëm ndaj traditave HBCU me një koncert që gjerësisht (dhe me të drejtë) konsiderohet një nga performancat më të mëdha të të gjitha kohërave.

Edhe pse Bieber nuk mund të krahasohet me Beychella-n (më falni, askush nuk mundet), duhet pranuar se të shtunën në mbrëmje ai i rrëzoi pritshmëritë duke nisur koncertin pikërisht në orar, në 23:25 fiks, dhe duke treguar menjëherë aftësitë e tij vokale të buta e të rafinuara, me një këngë nga albumi i tij “Swag”, i nominuar në Grammy. Kur doli në skenë me një bluzë me kapuç rozë dhe syze dielli, përpara një turme që dukej sikur ishte i gjithë festivali dhe ku shiheshin edhe të famshëm si Timothée Chalamet, Kylie dhe Kendall Jenner, Jacob Elordi, Teyana Taylor, Katy Perry, Justin Trudeau, Kim Kardashian dhe Lewis Hamilton, një britmë shurdhuese e përshkoi ajrin e shkretëtirës. Ndërsa Bieber lundronte në një repertor esencial e introspektiv nga dy albumet e tij më të fundit, disa Beliebers, me merchandising zyrtar e pa pikë turpi me shkrimet “Future Mrs. Bieber” dhe “It’s not clocking to you”, filluan të humbnin energji pasi kishin pritur me orë të tëra pranë skenës kryesore. “Është i depresionuar”, vërejti dikush pranë meje. Por kur u ul para një laptopi dhe nxori videot e vjetra nga YouTube, turma shpërtheu. Duke kënduar me të gjitha forcat hit-e që nuk i kishte performuar prej më shumë se dhjetë vitesh si “Baby”, “Beauty and a Beat” dhe “Never Say Never”, një grua në publik thirri: “Ne s’jemi të reja në këtë punë, kemi qenë këtu që nga fillimi!”, ndërsa një tjetër filmonte veten duke qarë. Edhe pse disa kritikë e quajtën set-in e headliner-it “pa shumë dëshirë” dhe praktikisht një reklamë gjigante për YouTube (që sponsorizon live streaming-un e festivalit), kishte diçka pa diskutim prekëse te mënyra si Bieber harmonizohej me versionin e tij më të ri, si një mbyllje rrethi. “Askush s’do ta dijë as edhe një grimcë sa shumë është dashur për të arritur deri këtu”, shkroi gruaja e tij Hailey në Instagram pas performancës. Ishte një përzierje joshëse nostalgjie dhe evolucioni, teksa artisti (tani baba) përshëndeti nga skena gruan dhe djalin e tij, vogëlushin Jack, dhe dukej në humor të mirë duke prekur kujtimet.

Dhe, me të vërtetë, disa nga performancat më të mira të fundjavës ishin ato që u lidhën me të kaluarën. Sombr, talenti i ri rock i momentit, ftoi Billy Corgan nga Smashing Pumpkins të këndonte hit-in e tyre të viteve ’90 “1979”; Addison Rae iu referua estetikës më ikonike të Britney-t së “Blackout” në fillim të viteve 2000; Sabrina Carpenter i befasoi shikuesit e të premtes me një cameo të Susan Sarandon dhe Will Ferrell; dhe legjendat e vitit 2000, The Strokes, hapën koncertin për Bieber në skenën kryesore. Por ka vërtet diçka për çdo shije, vetëm pak hapa larg, me një spektër performancash që shkon nga FKA Twigs, Iggy Pop, Dijon dhe PinkPantheress te Major Lazer, Sexyy Red dhe Turnstile.

Po, Coachella është pa dyshim “Olimpiada e influencerëve”. Po, është një maratonë 72-orëshe me pluhur dhe tualete kimike. Por, ashtu si për Justin Bieber, nëse arrin të kalosh gjithë zhurmën, mund ta gjesh prapë rrugën për te muzika. Në Coachella, ia vlen ta provosh.