Pas përfundimit të “Big Brother VIP 5”, në festën e organizuar nga Top Channel, nuk munguan falënderimet, emocionet dhe momentet që tërhoqën menjëherë vëmendjen. Mes tyre, një nga deklaratat që bëri më shumë jehonë ishte ajo e Sara Hoxhës, e cila gjatë fjalës së saj u ndal veçanërisht te Ledion Liço.

Si drejtuese e projektit, Sara falënderoi stafin, bashkëpunëtorët dhe opinionistët për punën gjatë gjithë sezonit, por fjalët për Ledionin kishin një peshë tjetër, më personale dhe më të ndjerë.

“Dua të falënderoj Ledionin, i cili i jep shkëlqim këtij formati dhe realisht është fituesi i çdo sezoni të Big Brother-it. Kam mësuar shumë prej teje, mësoj çdo ditë prej teje dhe jam shumë mirënjohëse që këtë rrugëtim e ndajmë bashkë”, u shpreh ajo.

Një deklaratë që nuk kaloi pa u komentuar, jo vetëm për vlerësimin profesional që i bëri moderatorit, por edhe për faktin se vjen në një kohë kur marrëdhënia mes Sarës dhe Ledionit vazhdon të mbetet e paqartë për publikun. Prej kohësh qarkullojnë aludime për një krisje apo ndarje mes tyre, por asnjëri nuk ka zgjedhur t’i konfirmojë apo t’i mohojë këto zëra.

Në fakt, edhe gjatë natës finale të këtij sezoni, Ledioni përjetoi një nga momentet më emocionale të spektaklit, kur stafi e surprizoi me një video-mesazh nga nëna dhe fëmijët e tij. I prekur, ai zgjodhi të falënderonte publikisht Sarën me fjalë që u komentuan gjatë.

“Kjo është hera e vetme që unë e lejoj veten të jem kaq vulnerabël si Ledion, jo si moderator. Jam në një pikë që e kam shumë të vështirë të lotoj, më duket sikur më janë tharë lotët. Por nuk jam fort i bindur që meritoj asgjë nga këto që kam. Dhe nuk jam fort i bindur që unë dhe shumë nga e gjithë kjo meritojnë Sara Hoxhën”, u shpreh ai.