Pak ditë para publikimit të albumit të tij më të ri, “I pari”, Butrint Imeri ka organizuar një festë private me njerëzit më të afërt, për të ndarë me ta një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij.

Mes familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve që morën pjesë në këtë mbrëmje ekskluzive, një prani në veçanti nuk i shpëtoi vëmendjes së publikut dhe mediave rozë. Bëhet fjalë për aktoren e njohur turke Su Burcu Yazgi Coskun, emri i së cilës prej muajsh është lidhur me spekulime për një raport të mundshëm me këngëtarin shqiptar.

Pamjet e publikuara nga emisioni “Prive” e tregojnë aktoren mes të ftuarve në eventin e organizuar nga Butrinti, një detaj që ka rikthyer menjëherë në qendër të vëmendjes zërat për një lidhje mes tyre. Edhe pse asnjëri prej tyre nuk ka reaguar publikisht për të sqaruar natyrën e raportit, prania e saj në një festë kaq personale dhe të kufizuar ka ngritur pikëpyetje të reja.

Fakti që aktorja udhëtoi për të qenë pjesë e një momenti kaq të rëndësishëm për artistin shqiptar është interpretuar nga fansat si një tregues se mes tyre mund të ekzistojë më shumë sesa një miqësi e zakonshme.

E njohur për rolin e saj si Asiye në serialin shumë të ndjekur Karde?lerim, Su Burcu Yazgi Coskun është një nga emrat më të komentuar të brezit të ri të aktorëve në Turqi. Ndërkohë, çdo dalje apo paraqitje e saj pranë Butrint Imerit vijon të ushqejë kureshtjen e publikut.

Për momentin, gjithçka mbetet në kuadrin e aludimeve. Megjithatë, prania e aktores në festën private të këngëtarit ka mjaftuar që rrjetet sociale të ziejnë sërish me pyetjen që fansat po bëjnë prej muajsh: a ka lindur një histori e re dashurie mes Butrint Imerit dhe aktores së njohur turke?