
Zajmina Vasjari ka rrëfyer në “Në kurthin e Piter Pan”, në puntatën e fundit për këtë sezon, arsyen pse vendosi të largohej nga muzika, ndërsa ka ndarë edhe detaje të panjohura nga jeta e saj si arkitekte, nënë dhe artiste.
Në puntatën e 7 qershorit, këngëtarja u prit me shumë dashuri nga fëmijët e kastit, por pyetjet e tyre spontane dhe plot kureshtje e vunë herë pas here në vështirësi për të gjetur përgjigjen e duhur.
Një nga momentet më interesante të bisedës ishte kur ajo u pyet për shkëputjen nga muzika. Vasjari tregoi se vendimin e mori pas diplomimit në arkitekturë, duke zgjedhur t’i përkushtohej profesionit të saj.
“U bë shumë kohë që unë jam shkëputur nga tregu muzikor dhe e kam vendosur këtë gjë kur jam diplomuar për arkitekturë. Ka qenë kjo pauza që kam bërë me muzikën dhe ishte si një pakt që bëra me veten për t’i thënë stop pasioneve të momentit që kam patur sepse muzika nuk ishte profesioni im, ishte një pasion që unë kam patur dhe një mënyrë për të qëndruar sa më gjatë në skenë. Profesioni im i vërtetë është arkitektura. Në momentin që u diplomova vendosa t’i përkushtohesha totalisht profesionit tim si arkitekte. Zoti kishte bërë ca plane shumë të bukura për mua, unë më vonë u bëra nënë… Angazhimet e mia personale dhe profesionale nuk më lënë shumë kohë të merrem me pasionet e mia siç ka qenë muzika. Megjithatë muzika mbetet një dashuri shumë e madhe për mua.”
Përtej muzikës dhe arkitekturës, Vasjari zbuloi edhe anën e saj artistike. Ajo tregoi se ka realizuar një pikturë me vlerë të veçantë emocionale, kushtuar nënës së saj.
“Kam zgjedhur të pikturoj duart e mamit tim sepse janë një simbol i duarve të gjyshes që në shtëpinë time kanë dhënë shumë. Kanë dhënë shumë dashuri e përkujdesje për fëmijët e mi dhe shumë ndihmë për mua. E kam vendosur në dhomën më të ngrohtë të shtëpisë, atje ku është oxhaku dhe atje qëndron kjo piktura që për mua ka shumë vlerë.”
Këngëtarja foli edhe për lidhjen e fortë që ka me Durrësin, duke treguar se qetësia dhe afërsia me detin janë ndër arsyet kryesore pse ka zgjedhur të jetojë aty.
“Durrësi pavarësisht se është qyteti im i lindjes dhe sigurisht që lidhja ime është shumë emocionale me Durrësin, por në këtë moment të jetës sime, si një grua familjare me fëmijë, Durrësin e zgjedh për disa arsye të tjera. Durrësi është një vend shumë i qetë dhe unë qetësinë në këtë momnet të jetës sime e kam shumë të rëndësishme. Tjetra është prania e detit që unë e dua shumë dhe nuk jetoj dot pa të, sepse më jep energji, e kam frymëzim, e kthej në një formë terapie me veten. Gjithashtu Durrësi ka dhe një bukuri tjetër sepse bashkëjetojnë shumë bukur në Durrës arti, kultura, historia, arkitektura e vjetër me atë moderne dhe unë duke qenë se në profesion jam arkitekte këto gjëra i shoh shumë dhe Durrësi më fal shumë emocion.”
Madje, ajo ndau edhe një shqetësim për qytetin bregdetar, duke theksuar se disa nga hapësirat arkeologjike të Durrësit meritojnë më shumë vëmendje dhe duhet të shndërrohen në vende që jo vetëm shihen, por edhe përjetohen.
