
Prej gati 1 jave, vendi është përfshirë nga protestat kundër ndërtimit të një resorti në Zvërnec. Ajo që nisi si një marshim, kundra projektit, tashmë ka ndezur Tiranën, ku mijëra qytetarë mbushin sheshin çdo ditë, ndërsa e kanë quajtuar ‘Revolucioni i Flamingove’.
Por, ngjarjet e fundit dhe protestat që po zhvillohen në Shqipëri kanë sjellë ndryshime në kalendarin e aktiviteteve artistike. Disa nga emrat më të njohur të muzikës shqiptare kanë vendosur të shtyjnë koncertet e tyre.
Mes tyre është këngëtarja Ronela Hajati, e cila ka njoftuar se do të anulojë të gjitha aktivitetet muzikore të planifikuara për këtë fundjavë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo bëri të ditur se edhe publikimi i këngës së re në bashkëpunim me Capital T do të shtyhet.
Edhe këngëtarja Aurela Gaçe ka njoftuar shtyrjen e koncertit të planifikuar, për shkak të zhvillimeve dhe protestave që po mbahen në Shqipëri. Në një reagim publik, organizatorët theksuan se vendimi është marrë në shenjë respekti dhe solidariteti me situatën në vend.
Biletat e blera do të mbeten të vlefshme për datën e re, ndërsa qytetarët që dëshirojnë rimbursim mund të kontaktojnë organizatorët. “Sot është momenti të jemi të bashkuar”, thuhet në postimin e publikuar.
Zhvillimet e fundit kanë prekur edhe organizmin e një koncerti të madh që pritej të mbahej në Itali. Në njoftimin e tyre, organizatorët shpjegojnë se pas diskutimeve me artistët dhe duke marrë parasysh situatën e brendshme në Shqipëri, si dhe protestat e vazhdueshme, nuk u konsiderua e përshtatshme të zhvillohej eventi në datën e planifikuar.
Ata theksojnë se janë bërë investime të konsiderueshme, por solidariteti me situatën që po kalon vendi është vlerësuar si prioritet. Në koncert pritej të merrnin pjesë artistë si Lyrical Son, MC Kresha, Ledri Vula, Elgit Doda, Xhensila Myrtezaj.
