Marrëdhënia mes Soni Malajt dhe Flor Mumajesit vazhdon të zgjojë interes të madh te publiku. Pas surprizës së veçantë me 300 dronë që ndriçuan qiellin e “Ferma VIP”, këngëtarja u pyet nga Arbana Osmani për raportin që ka sot me kantautorin.

Soni tregoi se Flori ka pasur gjithmonë një rol të rëndësishëm në jetën e saj dhe se mes tyre ka ekzistuar vazhdimisht respekt dhe mbështetje reciproke. Ajo theksoi se të dy janë persona që preferojnë ta mbajnë jetën private larg vëmendjes së publikut.

Këngëtarja pranoi se e kishte menduar mundësinë e një gjesti simbolik nga ana e Florit, por jo diçka kaq madhështore. Sipas saj, surpriza e emocionoi veçanërisht pasi Flori është një person që shpreh ndjenjat më shumë me veprime sesa me fjalë.

Gjatë bisedës, Soni nënvizoi se pavarësisht aludimeve që janë bërë ndër vite, marrëdhënia mes tyre ka mbetur e mbështetur te respekti. “Unë besoj se në një marrëdhënie hapat më të rëndësishëm duhet t’i hedhë mashkulli. Ai i di të gjitha nga ana ime”, u shpreh ajo.

Momenti që shkaktoi më shumë reagime ishte pyetja e saj drejtuar produksionit, ku me nota humori kërkoi të dinte nëse pas kësaj surprize vazhdonte ende të konsiderohej “single”.

Megjithatë, moderatorja sqaroi se gjesti me dronë ishte thjesht një shenjë mbështetjeje dhe jo një deklaratë publike për një rikthim në çift. Edhe Moza iu bashkua batutave, duke e ngacmuar Sonin që të mos mjaftohej me dronët, por të kërkonte një takim ballë për ballë. Ky moment ka nxitur edhe reagime plot ironi e batuta në rrjetet sociale, ku shumë ndjekës kanë komentuar me humor: “Po Flori a e di që i ka dërguar dronë Sonit?”.