Këngëtarja Bebe Rexha po hap një kapitull të ri në jetën dhe karrierën e saj duke marrë kontrollin e plotë të rrugëtimit të saj artistik.

Në një intervistë këngëtarja tregoi se largimi nga kompania e saj diskografike afatgjatë në vitin 2025 i dha mundësinë të rikthehej tek vetja dhe të rifitonte lirinë krijuese që kishte humbur ndër vite.

'Pas vitesh duke u ndier sikur nuk kisha asnjë fuqi, ishte shumë e vështirë të lidhesha me ndjenjat e mia të vërteta. Në një farë mënyre, isha mpirë emocionalisht', u shpreh artistja 36-vjeçare.

Sipas saj, marrëveshja e mëparshme diskografike kishte kufizuar kreativitetin e saj dhe e kishte bërë të ndiente se kishte humbur disa nga vitet më të vlefshme të jetës.

Rexha zbuloi gjithashtu se para se të vendoste të bëhej artiste e pavarur, kishte zhvilluar takime me disa kompani të mëdha diskografike, por ishte refuzuar për arsye që i konsideron absurde.

'Më thanë se isha shumë e vjetër. Mund të isha dorëzuar shumë lehtë, por gjëja për të cilën jam më krenare është se nuk u dorëzova kurrë', tha këngëtarja.