
Këngëtarja e njohur amerikane, Ariana Grande, ka reaguar publikisht ndaj përdorimit të një prej këngëve të saj nga Shtëpia e Bardhë në një video që promovon politikat amerikane të emigracionit.
Videoja, e publikuar në TikTok nga llogaria zyrtare e Shtëpisë së Bardhë, shfaq agjentë kufitarë duke arrestuar persona, duke u vendosur prangat dhe duke i transportuar drejt qendrave të ndalimit. Në sfond dëgjohej kënga “Bye”, një nga hitet e Grandes të publikuara në vitin 2024.
Publikimi shoqërohej me mbishkrimin: “Bye-bye… Presidenti Trump ka siguruar kufirin më të sigurt në histori.” Reagimi i artistes ishte i menjëhershëm. Në komentet e videos, Grande kërkoi që muzika e saj të mos përdorej për qëllime të tilla politike.
“Ju lutem mos e përdorni muzikën time në lidhje me këtë marrëzi barbare, çnjerëzore dhe të neveritshme”, shkroi këngëtarja. Pas komentit të saj, përdoruesit vunë re se videoja u publikua pa audio, ndërsa komenti i Grandes nuk ishte më i dukshëm në platformë.
Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë mbrojti publikimin, pasi zëdhënësja Abigail Jackson iu përgjigj kritikave të artistes. “Ajo që është vërtet barbare, çnjerëzore dhe e neveritshme janë emigrantët e paligjshëm kriminalë që kanë plagosur dhe vrarë qytetarë të pafajshëm amerikanë”, pohoi Jackson.
Debati vjen pak kohë pasi presidenti Donald Trump nënshkroi një ligj që siguron më shumë se 70 miliardë dollarë financim shtesë për agjencitë e emigracionit gjatë pjesës së mbetur të mandatit të tij presidencial. Ariana Grande i bashkohet një liste gjithnjë e më të gjatë artistësh që kanë kundërshtuar përdorimin e muzikës së tyre nga Trump dhe ekipi i tij politik.
