
Këngëtari Ardian Bujupi dhe partnerja e tij, Fjolla, u bënë prindër për herë të parë në prill të këtij viti, kur mirëpritën në jetë djalin e tyre, Gjonin. Që nga ai moment, jeta e këngëtarit ka marrë një drejtim krejtësisht të ri, me familjen që tashmë zë një vend të veçantë në përditshmërinë e tij.
Pavarësisht angazhimeve të shumta në muzikë dhe projekteve artistike, Ardiani po gjen kohë për të shijuar çdo moment pranë të birit, duke u përfshirë edhe në kujdesin dhe rritjen e tij.
Së fundmi, ai ka ndarë me ndjekësit një moment të ëmbël nga përditshmëria si baba. Në videon e publikuar në rrjetet sociale, këngëtari shihet duke e vënë në gjumë Gjonin, teksa e përkund me kujdes në djep.
Ajo që e bën videon edhe më të veçantë është fakti se Ardiani po ndjek një traditë të hershme shqiptare, duke e përkundur të birin në djep, ndërsa në sfond dëgjohen këngë shqipe. Momenti ka prekur ndjekësit, të cilët kanë vlerësuar thjeshtësinë dhe lidhjen e artistit me traditat familjare shqiptare.
