
Një studim i ri parashikon se infertiliteti te gratë do të arrijë në pothuajse 80 milionë raste në dekadën e ardhshme në mbarë botën një rritje gati 1.5 herë më e madhe krahasuar me vitin 2023 e nxitur kryesisht nga shtyrja e mëmësisë.
Infertiliteti ka qenë në rritje vitet e fundit, veçanërisht te gratë e moshës 35 deri në 49 vjeç, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore The Lancet.
Rastet e infertilitetit te gratë e kësaj grupmoshe pritet të afrohen në 80 milionë deri në vitin 2036, nga rreth 53.60 milionë në vitin 2023. Rritja më e madhe pritet të ndodhë te gratë e moshës 35–39 vjeç.
Autorët e studimit theksojnë se kjo lidhet kryesisht me rënien e rezervës së vezëve dhe aftësisë së tyre për fekondim me kalimin e moshës, gjë që ul pjellorinë, rrit rrezikun e abortit dhe zvogëlon suksesin e teknologjive të riprodhimit të asistuar.
“Ndërsa plakja e popullsisë dhe ndryshimet socio-ekonomike përshpejtohen, numri i grave të ekspozuara ndaj rrezikut të infertilitetit në moshë më të madhe po rritet, duke e bërë këtë një çështje gjithnjë e më të rëndësishme për shëndetin publik”, shkruan autorët.
Duke analizuar të dhënat nga studimi Global Burden of Disease 2023, i cili përfshiu 204 vende dhe rajone nga viti 1990 deri në vitin 2023, studiuesit kinezë zbuluan se infertiliteti është rritur më shumë në vendet më të zhvilluara.
Pse po rriten rastet?
Në shumë vende me të ardhura mesatare dhe në zhvillim të shpejtë, infertiliteti po bëhet më i zakonshëm për shkak të disa ndryshimeve sociale dhe demografike që po ndodhin njëkohësisht.
Njerëzit po martohen dhe po përpiqen të kenë fëmijë më vonë; më shumë gra në fund të të 30-ave dhe në të 40-at duan ende të mbeten shtatzëna; ndërsa ndërgjegjësimi më i madh për problemet e fertilitetit ka bërë që më shumë çifte të kërkojnë ndihmë.
Megjithatë, në shumë prej këtyre vendeve, testet dhe trajtimet për fertilitetin mbeten të shtrenjta, të kufizuara ose të vështira për t’u aksesuar, duke bërë që kërkesa për kujdes mjekësor të rritet shumë më shpejt sesa mundësia për ta marrë atë.
Sipas biologes dhe ekspertes së fertilitetit Rocío Núñez Calonge, e cila nuk mori pjesë në studim, rritja e infertilitetit te gratë më të mëdha në moshë nuk mund të zgjidhet vetëm duke zgjeruar mundësitë e trajtimeve të riprodhimit të asistuar.
“Në vende si Spanja, është gjithashtu e nevojshme të trajtohen faktorët socialë që ndikojnë në shtyrjen e mëmësisë, veçanërisht ata që lidhen me balancën mes punës dhe jetës personale, stabilitetin ekonomik dhe mbështetjen institucionale për mëmësinë e hershme”, tha ajo.
Infertiliteti nuk është vetëm një problem i grave. Vlerësohet se rreth një në gjashtë persona në botë do të përballet me të në një moment të jetës, ndërsa 8–12% e çifteve në moshë riprodhuese në të gjithë botën do të përjetojnë probleme me fertilitetin.
