
Ajsel Abazi ka reaguar publikisht për herë të parë lidhur me marrëdhënien me ish partnerin e saj, futbollistin Eros Grezda, duke ndarë një rrëfim të gjatë dhe emocional mbi sfidat e bashkëprindërimit pas ndarjes së tyre.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ajsel tha se për një kohë të gjatë kishte zgjedhur të ruante heshtjen, pasi besonte se çështjet personale duhej të zgjidheshin larg syrit të publikut. Megjithatë, sipas saj, kur bëhet fjalë për mirëqenien e një fëmije, heshtja nuk është më zgjidhja.
"Kam besuar gjithmonë se disa gjëra duhen zgjidhur larg syve të të tjerëve. Por ka momente kur heshtja nuk është më forcë, sidomos kur bëhet fjalë për një fëmijë që nuk ka zë për të treguar atë që ndien", shkroi ajo.
Ajsel sqaroi se reagimi i saj nuk lidhet me faktin që Eros Grezda ka vazhduar jetën dhe ka krijuar një lidhje të re.
"Nuk më shqetëson fakti që babi i Kianit ka zgjedhur të vazhdojë jetën e tij apo që ka një partnere të re. Çdo njeri ka të drejtë të gjejë lumturinë e tij. Ajo që më dhemb është kur krijimi i një jete të re bëhet arsye që fëmija të mos jetë më prioritet."
Në rrëfimin e saj, ajo tregoi se kishte shpresuar që, pavarësisht ndarjes, të dy të ndërtonin një marrëdhënie të shëndetshme si prindër për hir të djalit të tyre.
"Prandaj zgjodha që komunikimi mes nesh të kufizohej. Jo nga inati, jo nga krenaria dhe as për të ndëshkuar dikë, por sepse besoj se kjo ishte mënyra më e shëndetshme për të ruajtur qetësinë dhe stabilitetin e djalit tonë."
Ajsel theksoi se prindërimi nuk matet me dhurata apo premtime, por me praninë e përditshme.
"Një fëmijë nuk mat dashurinë me dhurata apo premtime, por me kohën, praninë dhe përkushtimin. Fatkeqësisht, ka raste kur prioritetet ndryshojnë, ndërsa fëmija mbetet duke pritur."
Mes akuzave më të forta ishte edhe mungesa e futbollistit në ditëlindjen e tretë të djalit të tyre, Kian.
"Të mungosh në 3-vjetorin e ditëlindjes së djalit tënd është një mungesë që nuk mbulohet me justifikime. Të gjesh kohë për dy javë pushime, por të thuash se nuk ke mundësi ta marrësh djalin tënd qoftë edhe për disa ditë në plazh, është një zgjedhje. Të takosh fëmijën vetëm një herë në muaj është një zgjedhje. Edhe më e dhimbshme është kur premton se do të vish dhe nuk e mban fjalën, sepse një fëmijë pret me zemër, jo me kalendar."
Një tjetër detaj që, sipas saj, e ka lënduar më shumë, ishte prezantimi i partneres së re te djali i tyre.
"Kulmi i gjithçkaje është kur një fëmijë vetëm 3 vjeç i prezantohet një person i ri si 'gruaja e babit', në një kohë kur ai ende po përpiqet të kuptojë mungesën e vetë babait."
Në fund të reagimit, Ajsel theksoi se nuk synon të krijojë përplasje publike, por të nxisë reflektim mbi përgjegjësinë që kanë prindërit ndaj fëmijëve të tyre.
"Ky nuk është një konkurs se kush ka më shumë foto apo video. Është një reflektim mbi rëndësinë e pranisë së përditshme në jetën e një fëmije."
Ajo shtoi se, pavarësisht zhgënjimeve personale, është përpjekur gjithmonë ta rrisë djalin me dashuri dhe respekt për figurën e babait të tij. Sipas Ajselit, gjithçka që ka shkruar bazohet në përjetimet dhe komunikimet e tyre private, me shpresën se historia e saj do të shërbejë si një reflektim për çdo prind.
"Nëse ky shkrim bën që qoftë edhe një prind i vetëm të reflektojë dhe të zgjedhë të jetë më i pranishëm në jetën e fëmijës së tij, atëherë ai e ka arritur qëllimin."








