Kanë kaluar plot 14 javë dhe pritet që e hëna e fundit të jetë vendimtare. 22 shkurti do të jetë edhe finalja e madhe e një spektakli të gjatë që mori të gjithë vëmendjen e publikut jo vetëm për protagonistin, por edhe për princeshat që u përpoqën deri në fund për të fituar zemrën e tij.

Gjithçka ka mbetur janë vetëm dy – të preferuarat e Saimirit, ato që udhëtuan për shumë javë në këtë spektakël dhe treguan me natyrën e tyre, pa bujë, se mund të jetë fare e thjeshtë për të bërë për vete dikë – mjafton të jesh ajo që je në jetë.

Po cilën do të zgjedhë dhe pse duhet ta zgjedhë Saimi në finale?

Në një sondazh të publikuar pak më parë në Instagramin e revistës Class, ndjekësit renditin një sërë arsyesh pse dhe si duhet të veprojë Saimiri për zgjedhjen e tij të fundit. Të gjithë ata që e kanë pëlqyer dhe mbështetur Merin deri tani, me siguri, do të pajtohen me 5 pikat (të paktën) e forta të Merit. Ato që ndoshta do ta bëjnë Saimirin që, në fund, të vendosë Merin për ta pasur partnere.

1. Meri është “zgjedhja” e parë e Saimirit

Siç e ka thënë vetë protagonisti, mes 18 vajzave, Meri ishte vajza që Saimiri e pëlqeu dhe e bëri për vete qysh në takimin e parë. Me finesën që e ka karakterizuar gjithmonë, ajo javë pas jave tërhoqi vëmendjen e Saimirit dhe bëri që atij të mos i largohej asnjëherë “pika” nga horizonti. Ia doli mjaft mirë, deri në fund.

2. Meri është e thjeshtë

Është një nga cilësitë që e ka tërhequr Saimirin të shkojë gjithmonë drejt Merit. Përgjatë 15 javëve, ajo nuk është shtirur kurrë vajza që nuk është, as nuk ka treguar se kërkon famë, vëmendjen e publikut apo me çdo kusht pëlqimin e tij. Pavarësisht se ka shprehur gjithmonë mirënjohjen që publiku e ka të preferuar, indirekt ka treguar se në këtë spektakël ajo ka ardhur për Saimirin dhe për të fituar dashurinë e tij.

3. Meri nuk bëri “zhurmë”

Një ndër vajzat që ra në sy që në fillim për pamjen, në fakt, nuk u përfshi asnjëherë për të komentuar ose më mirë, përfolur, vajzat e tjera pjesëmarrëse në spektakël. Pavarësisht moshës së re, Meri nuk zgjodhi kurrë të tërheqë vëmendjen nga skupet, komentet apo debatet që, ndonjëherë, mund të lindnin edhe nga hiçi. Ajo ruajti qetësinë dhe nuk u provokua asnjëherë, nga asgjë.

4. Meri është e çiltër

Aq e çiltër sa, herë-herë, mund të mendosh që është edhe naive, por nuk është kjo cilësia që e karakterizon më shumë Merin. Me modelin e saj, ajo tregoi se çiltëria është një cilësi që meriton vëmendje – siç ndodhi edhe në këtë rast. Ndonëse pa fjalë...

5. Meri është e mira e të gjithëve

Siç e ka treguar, Saimiri ndjek edhe opinionin e publikut, ndonëse jo domosdoshmërisht mund të ndikohet prej tij. Delikatesa, bukuria, finesa e gjithçka e ka karakterizuar, ka bërë për vete të madh e të vogël. Pa dyshim, edhe vetë Saimirin, i cili, e ka shprehur tashmë që ka shumë kimi dhe ka filluar të ketë ndjenja për Merin.