
Ndonëse ajo u martua tetorin e vitit të kaluar, duke kurorëzuar historinë e saj disa vjeçare të dashurisë, momenti i muajit të mjaltit ka ardhur vetëm në fillim të këtij viti. Me siguri për shkak të angazhimit profesional si moderatore në Digitalb, Vilma Masha, prezantuesja simpatike shqiptare ka gjetur këtë janar kohën e çmuar për të shijuar disa ditë pushimesh fantastike në një destinacion mbresëlënës siç është Republika Domenikane.
Ne këtu jemi të veshur të gjithë me xhupa e pallto të trasha, ndërsa Vilma me bashkëshortin e saj po shijojnë mrekullitë e këtij destinacioni fantastik. Le të kujtojmë këtu faktin që prej vitesh, Vilma ruan një profil diskret sa i takon jetës private, partnerit dhe vetëm vitin e kaluar ajo ndau me të gjithë ne momentet më të çmuara nga ceremonia martesore.

Por, kjo shkëputje nga rutina e përditshme, sidomos puna në televizion që i merr pjesën më të madhe të ditës, me siguri që i duhej më shumë se kurrë asaj dhe partnerit, ndaj ata po e shijojnë në mënyrën e tyre zgjedhjen për disa ditë relaksi në plazhet e mrekullueshme të Republikës Domenikane.
