Një avokat që shkruan. Nuk po sillemi me të padrejtë për ta quajtur një Kafka, por mendja shkon. Ndoshta dhe prej Pragës, ku Darien Levani do donte të jetonte.
Nëse nuk keni lexuar asnjë libër nga të tijtë, “Vrasësi i qymyrit”, “Solo andata, grazie”, “Il famoso magico qukapik”, “L'amore di Marx”, “Poetët bëjnë dashuri ndryshe”, fitues i “Penës së argjendtë”, “Dopio Gjashta” dhe më i riu, “Toningrad”, këto përgjigje do ju japin ndjesinë sikur keni humbur diçka. Por për fat, librat aty janë dhe, me “shpresë”, ai mund të gabojë përsëri...
Cila është pika më e thellë e mjerimit për ty?
Ajo që shikon në sytë e një fëmije kur nuk arrin të bësh asgjë për ta ndihmuar. Ajo e Migjenit, e Lulit të Vocërr, e fëmijës që i thotë nënës se ka uri.
Nëse do mund të zgjidhje, ku do të të pëlqente të jetoje?
Në Pragë, me siguri.
Çfarë është lumturia për ty?
Diçka që nuk e kupton kur ndodh, që kupton vetëm kur humbet. Është ajo e gjërave të vogla: bukuria e një filxhani kafeje, buzëqeshja e një miku, një xhiro me biçikletë bashkë me njerëz që dua, një e shtunë në të cilën mund të vë një pllakë me muzikë jazz e ta dëgjoj nga fillimi në fund pa asnjë pengesë a telefonatë.
Për cilat gabime ndihesh më shumë fajtor?
Do ishte një listë e gjatë, por e kotë. Mua më pëlqejnë shumë gabimet, e nuk i mënjanoj. Nuk ka gjë, do gaboj më mirë herës tjetër. Vetëm kush nuk flet, nuk mendon, nuk punon, nuk përpiqet, nuk bën gabime.
Cilët janë heronjtë dhe heroinat e tua në letërsi?
Nuk kam të tillë, nuk besoj te heronjtë. Besoj në heronj të pjesshëm, që në një moment mund të bëjnë diçka heroike, por askush nuk mund të jetë hero gjatë gjithë kohës, shyqyr Z-tit.
Cilat personazhe të historisë vlerëson më shumë?
Për të qëndruar vetëm te historia jonë, kam një listë të qartë: Bajo Topulli, po edhe Mujo Ulqinaku, Zai Fundo e Mustafa Gjinishti. E, së fundmi, komisar Gani Malushi. Janë si heronjtë e mësipërm, njerëz normal që në një moment të caktuar kanë bërë zgjidhjen e duhur, e armiku nuk ua ka falur.
Po heronjtë e jetës reale?
Shoferët e linjës në Tiranë. Nuk e di se çfarë trimërie duhet për t’u dhënë atyre autobusëve në atë trafik.
Piktori i preferuar?
Nuk e kam kuptuar kurrë mirë pikturën.
Muzikanti i preferuar?
Duke mos u larguar nga Shqipëria, kam vënë re që më pëlqejnë shumë Ritfolk. Janë grupi i vetëm i viteve ‘90 që dëgjoj akoma sot, i kanë rezistuar kohës në një mënyrë të çuditshme. Me sa kuptoj, kjo ndodh sepse kombinonin bashkë muzikën e lehtë shqiptare me atë tingullin folk tip Beatles. Këtë shpjegim, në fakt, ia kam vjedhur mikut muzikant 00Genti. Më pëlqen shumë edhe Genc Salihu.
Cilësia që admiron më shumë te një burrë?
Nuk i ndaj dot personat në burra e gra, këto janë detaje që më duket se nuk ndryshojnë asgjë te personi. Ndoshta aftësia, a të paktën mundimi, për të qenë një baba i mirë.
Po te një grua?
Fakti që është njeri i mirë, të tjerat nuk kanë rëndësi. Po, për ta bërë barazim, mendoj se cilësia që admiroj më shumë është aftësia për të qenë nënë e mirë.
Virtyti i preferuar?
Kthjelltësia! Kthjelltësia në mendim, në shprehje, në shpjegim. Mendoj që kur do që të mos kuptohet diçka flet me fjalë të mëdhaja e të pakuptueshme e me paragrafë pa fund për të ngatërruar lexuesin e për ta bërë që të ndihet inferior. E urrej këtë në jetën e përditshme, ashtu si e urrej në punën time si avokat, po edhe nëpër shkrime gazetash a romane.
Aktiviteti i preferuar?
Të luaj me tim bir.
Nëse do të ishe një person tjetër, kush do të ishe?
Ai personi tjetër. :)
Tipari yt më i spikatur?
Nuk kam të tillë. E nëse kam, duhen pyetur miqtë e jo unë.
Po tipari që vlerëson më shumë te miqtë?
Fakti që nuk lejojnë vitet që kalojnë, qoftë edhe pa u parë e pa folur, të prishin miqësinë.
Cili është defekti yt më i madh?
Nuk di t’u them personave jo. Marr kërkesa të mistershme tip “Të lutem të shkruash parathënien e librit tim mbi aftësinë dhe ndikimin e manushaqes së Veriut në politikën osmane të 1643-shit”, apo “Kërkoj urgjentisht konfirmin për pjesëmarrjen tuaj në konferencën mbi krokodilet. Ju lutem konfirmoni ASAP.” dhe mezi i heq qafe.
Nëse do të ishe një objekt, ose një kafshë, çfarë do ishe?
Hm. Këtë s’e kam menduar kurrë. Do doja të isha një fjalë. Do doja të isha fjala “shpresë” p.sh.. Pse jo?
Ngjyra e preferuar?
Jeshile, më duket. Kur mundem shkruaj shënime me ngjyrë jeshile, por pastaj m’i vjedhin stilolapsat e jam i detyruar të shkruaj përsëri blu a zi.
Lulja e preferuar?
Zambaku. Jo se më pëlqen shumë lulja, në fakt, po se më pëlqen fjala që e përshkruan. Mendoje: zambaku.
Shpendi që të pëlqen?
Shpendët i kam të gjithë njësoj, sidomos kur ata rrinë në punën e tyre në qiell e unë në punën time.
Cilët janë shkrimtarët e tu të preferuar?
Ndryshojnë përditë. Për momentin po lexoj "Nafta shqiptare, apo vrasja në rrugën e veriut" nga Anila Wilms, e më pëlqen shumë. Kisha kohë pa lexuar një roman kaq të mirë në shqip. Jam shumë i gëzuar sepse sapo është botuar në italisht për Keller Editore, e futet tamam te ato romanet e mirë shqiptarë që ia vlen të lexohen edhe nga “të jashmit”.
Po poetët?
Më pëlqen shumë Leonard Cohen. Nga shqiptarët më pëlqen Klodian Kojashi.
Cila është gjëja që nuk e pëlqen fare?
Djersa. Ëndërroj një botë ku nuk do djersisim më. Këtu duhet të përqendrohen përpjeket teknologjike, e jo në përmirësimin e telefonave të zgjuar apo përpjekje për të shkuar në Mars.
Çfarë dhuntie do doje të kishe?
T’i bëj të tjerët t’i shikojnë gjërat nga këndvështrimi im, qofshin këta miq, armiq, gjykatës, fatorino. Më duket se pjesën më të madhe të kohës e harxhoj në këtë drejtim.
Si do doje të vdisje?
I lumtur.
Në ç’gjendje mendore je aktualisht?
Pak i lodhur dhe i shpërqendruar, duke menduar për shumë gjyqe që duhet të bëj muajin e ardhshëm.
Cila është motoja jote në jetë?
Tu pa, tu pi!